Hasani për rezolutën Kuvendit të Shqipërisë për Iranin: Ky qëndrim nuk është kundër popullit iranian

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë dhe kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Igli Hasani, në lidhje me rezolutën që shpalli Iranin “shtet sponsor i terrorizmit”, ka deklaruar se ky qëndrim nuk është kundër popullit iranian, raporton Anadolu.

Gjatë fjalës në seancën e sotme parlamentare ku u miratua rezoluta në fjalë, Hasani tha se rezoluta synon të rikonfirmojë përkushtimin vendit “ndaj luftës kundër terrorizmit dhe ndaj mbrojtjes së rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla”.

“Në të njëjtën kohë është e rëndësishme të theksohet se ky qëndrim nuk është i drejtuar kundër popullit iranian. Shqipëria ruan respekt për popullin, historinë dhe qytetërimin e Iranit. Rezoluta jonë lidhet vetëm me veprimet e strukturave dhe institucioneve që përdorin terrorizmin, dhunën dhe presionin ndaj shteteve të tjera si instrumente të politikës së tyre të jashtme”, tha ish-kryediplomati i Shqipërisë.

Hasani theksoi ndër të tjera se në vitin 2022 institucionet e Republikës së Shqipërisë u përballën me një sulm të rëndë kibernetik ndaj infrastrukturës shtetërore.

“Ishte një akt i paprecedentë (sulmi kibernetik) ndaj një vendi anëtar të NATO-s dhe ndaj institucioneve tona demokratike. Hetimet dhe vlerësimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë e lidhën këtë sulm me Republikën Islamike të Iranit”, u shpreh Hasani.

Kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, u shpreh gjatë seancës parlamentare se rezoluta në fjalë është propozuar nga grupi parlamentar i PS-së.

– Rezoluta

Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur Iranin “shtet sponsor i terrorizmit” ndërkohë i ka bërë thirrje Qeverisë së Shqipërisë që të shpallë organizata terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe Hezbollahun.

Rezoluta “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor i terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste”, u miratua në seancën e sotme parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Kuvendit, rezoluta “rikonfirmon përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj paqes ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe mbrojtjes së civilëve nga aktet e terrorit”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button