Hapet Shtabi i VLEN-it në Strugë

VLEN hapi zyrtarisht shtabin zgjedhor në qytetin e Strugës, duke shënuar kështu fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale me një mesazh të qartë: mbështetje e plotë dhe e palëkundur për kandidaturën e pavarur të Mendi Qyrës për kryetar komune.
Arben Fetai, zëvendëskryeministër, theksoi rëndësinë historike të kësaj mbështetjeje dhe punën që VLEN ka bërë në nivel qendror. “Kandidatura e Mendi Qyrës nuk është për hir të ndonjë partie, por për hir të Strugës. Këtë po e bëjmë për qytetin, për të ardhmen e tij!”, tha Fetai duke shtuar se pas një viti qeverisjeje, VLEN ka arritur të zbatojë ato shtylla të Marrëveshjes së Ohrit që BDI i kishte lënë pas dore për 22 vite.
Adnan Azizi, shef i shtabit qendror të VLEN, u shpreh se Mendi Qyra ka kthjelluar skenën politike në Strugë. “Pas shpalljes së kandidaturës së Mendiut, u shua zhurma dhe paniku në Frontin e zullumit. Ata që dikur ziheshin për Strugën, sot i luten njëri-tjetrit të heqin dorë. Ju që e mbështetët këtë kandidaturë bëtë përzgjedhjen më të mirë të mundshme. Të tjerët, nëse kanë guxim, le të dalin në mejdan”, tha Azizi.
Albrim Hoxha, i cili u zgjodh shefi i shtabit lokal në Strugë, theksoi se kujdesi që VLEN po tregon për qytetin është i padiskutueshëm. “Vetëm këtë vit janë ndarë 10 milionë euro për Strugën. Kemi filluar projektin e bulevardit hyrës dhe ndërrimin e gypave të azbestit. Kjo është përkujdesje, jo premtime boshe”. Ai shtoi se Mendi Qyra është figurë unifikuese që nuk ka pasur asnjëherë detyrim politik, por gjithmonë ka dhënë për qytetin. “Në Strugë nuk ka vend për gara politike për kryetar komune. Mendi Qyra është zgjedhja e qytetarëve”, tha Hoxha.
Bekim Qoku denoncoi keqmenaxhimin e egër nga udhëheqësia aktuale dhe i bëri thirrje qytetarëve të zgjedhin ndershmërinë dhe transparencën. “Janë keqmenaxhuar mbi 18 milionë euro nga një buxhet prej 20 milionësh. Struga është kthyer në çerdhe të ndërtimeve pa leje dhe favorizimeve kriminale. Mjaft më! Me Mendi Qyrën fitojnë qytetarët, fiton Struga”, tha Qoku
Në përfundim, shtabi i VLEN në Strugë, i udhëhequr nga Albrim Hoxha, theksoi unitetin e koalicionit dhe vendosmërinë për të ndërtuar një Strugë dinjitoze dhe të zhvilluar, me Mendi Qyrën si përfaqësues të vlerave qytetare dhe të besimit të përbashkët.
VLEN fton të gjithë qytetarët struganë që në zgjedhjet e ardhshme të bashkohen rreth kandidaturës së pavarur të Mendi Qyrës, si simbol i bashkimit, ndershmërisë dhe zhvillimit të mirëfilltë për të ardhmen e Strugës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button