Hansi Flick kërkon ‘bomberin’ e ri, Barcelona në shënjestër Victor Osimhen

Barcelona ka përfshirë sulmuesin e Galatasarayt, Victor Osimhen, në listën e objektivave për verën e ardhshme, teksa klubi katalunas po kërkon zëvendësuesin afatgjatë të Robert Lewandowskit.
Sipas raportimeve, sulmuesi nigerian po shkëlqen në Superligën turke, ku ka qenë protagonist absolut gjatë dy sezoneve të fundit. Vetëm sezonin e kaluar, Osimhen shënoi 37 gola dhe dhuroi 8 asistime, ndërsa këtë edicion ka regjistruar 6 gola në 9 ndeshje, përfshirë një dopietë ndaj Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve.
Me këto paraqitje, ai është konsideruar një nga sulmuesit më produktivë në Evropë, por transferimi i tij në “Camp Nou” shihet si shumë i vështirë. Galatasaray ka paguar 75 milionë euro për ta blerë përfundimisht nga Napoli, çka e rrit ndjeshëm vlerën e tregut të tij.
Për më tepër, vështirësitë financiare të Barcelonës mbeten një pengesë e madhe për të përballuar marrëveshje të tilla të kushtueshme. Përveç Osimhenit dhe Julian Alvarez të Atletico Madridit, blaugranasit po shqyrtojnë edhe alternativa më të përballueshme, si Karl Etta Eyong i Levantes dhe Fisnik Asllani i Hoffenheimit.
Raporti shton se prioriteti i Barcelonës është të gjejë një sulmues që përshtatet me filozofinë e trajnerit Hansi Flick, por pa e rrezikuar stabilitetin financiar të klubit.



