Hamasi u kërkon vendeve arabe dhe islame të refuzojnë planin e Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/dcs-1-780x470.jpg)
Grupi palestinez i rezistencës, Hamasi, i bëri thirrje samitit të ardhshëm arab dhe një takimi ministror panislamik për të hedhur poshtë planin e presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga Gaza, transmeton Anadolu.
“Ne vlerësojmë qëndrimet e Egjiptit, Jordanisë, Arabisë Saudite dhe të gjitha kombeve që kundërshtojnë propozimin e Trumpit për zhvendosje të detyruar”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem.
Ai kërkoi nga samiti i ardhshëm arab më 27 shkurt dhe takimi ministror i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) që “të marrin një qëndrim të vendosur kundër planit të Trumpit dhe të zhvillojnë një strategji të përbashkët arabo-islame për të bllokuar zbatimin e tij”.
“Komentet e Trumpit për zhvendosjen pasqyrojnë përafrimin e tij me të djathtën ekstreme në qeverinë izraelite”, shtoi Qassem.
Trump ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për të marrë kontrollin e Gazës dhe për të zhvendosur palestinezët në vendet fqinje pas luftës gjenocidale të Izraelit, për ta ndërtuar atë që ai e quan “Riviera e Lindjes së Mesme”.
Propozimi i tij u prit me dënime të gjera nga palestinezët, vendet arabe dhe shumë vende të tjera në mbarë botën, duke përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë dhe Britaninë.
Të martën, Egjipti njoftoi se do të propozonte një plan për të rindërtuar Gazën pa zhvendosur popullsinë e territorit.
Qassem paralajmëroi për pengesat që kërcënojnë një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve në Gaza lidhur me refuzimin e qeverisë izraelite për të zbatuar plotësisht marrëveshjen.
“Hamasi mbetet i përkushtuar për të përmbushur detyrimet e tij sipas marrëveshjes siç është planifikuar”, tha ai, duke theksuar se Izraeli gjithashtu duhet të respektojë angazhimet e tij sipas marrëveshjes.
Hamasi tha herët sot se do të rifillojë lirimin e radhës të pengjeve siç ishte planifikuar, të shtunën, nëse Izraeli u përmbahet kushteve të marrëveshjes së armëpushimit.
Marrëveshja e armëpushimit ka qenë në fuqi në Gaza që nga 19 janari, duke pezulluar luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë më shumë se 48.200 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.