Hamasi thotë se nuk ka marrë ndonjë propozim nga ndërmjetësit për armëpushim në Gaza

Grupi palestinez i rezistencës, Hamas, tha të dielën se nuk ka marrë asnjë propozim të ri për armëpushim në Gaza nga ndërmjetësit, duke theksuar gatishmërinë e tij për të diskutuar çdo ofertë të mundshme.
Më herët, mediat raportuan se Hamasi kishte marrë një propozim amerikan për të arritur një armëpushim në Gaza dhe për t’i dhënë fund luftës izraelite në enklavë.
“Hamas konfirmon se nuk ka marrë ndonjë propozim të ri nga ndërmjetësit,” thuhet në një deklaratë të grupit.
Në deklaratë theksohet se negociatat për armëpushim kanë ngecur që nga sulmi ajror izraelit i 9 shtatorit mbi udhëheqësinë e Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha, ku u vranë pesë anëtarë të tij.
“Hamas riafirmon gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që merr nga ndërmjetësit me pozitivitet dhe përgjegjësi, në një mënyrë që ruan të drejtat kombëtare të popullit tonë,” shtohet më tej.
Më 25 shtator, presidenti amerikan Donald Trump paraqiti një plan paqeje me 21 pika për liderët arabë, i cili parashikon një armëpushim të përhershëm në Gaza, lirimin e të gjitha pengjeve izraelite, qeverisjen e Gazës pa Hamasin dhe një tërheqje graduale të forcave izraelite nga enklava, sipas disa raporteve mediatike.
Liderët arabë miratuan pjesë të mëdha të planit, por kërkuan shtesa, duke përfshirë garanci kundër aneksimit të Bregut Perëndimor, ruajtjen e status quo-së në Jerusalem, rritjen e ndihmës humanitare dhe adresimin e çështjes së vendbanimeve izraelite, thanë diplomatët rajonalë për CNN-in.
Ushtria izraelite ka vrarë gati 66.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në Gaza që nga tetori 2023. Bombardimet e pandërprera e kanë bërë enklavën të pabanueshme, duke shkaktuar uri dhe përhapje të sëmundjeve.