Hamasi i “përkushtuar” ndaj armëpushimit, akuzon Izraelin se nuk i përmbush detyrimet

Hamasi ka riafirmuar angazhimin ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve me Izraelin, duke akuzuar Tel Avivin për dështimin në respektimin e angazhimeve dhe duke e konsideruar përgjegjës për çdo ndërlikim apo vonesë, transmeton Anadolu.

Hamasi në rrjetin Telegram gjithashtu hodhi poshtë komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, që sugjeronin zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza nën pretekstin e rindërtimit, duke i quajtur komente “raciste” dhe “thirrje për spastrim etnik” që synon fshirjen e kauzës palestineze.

Që nga 25 janari, Trump ka sugjeruar vazhdimisht se palestinezët në Gaza duhet të pranohen nga kombet arabe të rajonit si Egjipti dhe Jordania, një ide e refuzuar si nga shtetet arabe ashtu edhe nga udhëheqësit palestinezë.

“Plani për të dëbuar popullin tonë nga Gaza nuk do të ketë sukses dhe do të përballet me një qëndrim të unifikuar palestinez, arab dhe islam që refuzon të gjitha skemat e zhvendosjes. Të gjitha planet për zhvendosje të detyruar do të dështojnë”, tha Hamasi.

Grupi palestinez përsëriti se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit për aq kohë sa e bën edhe Izraeli, duke theksuar se marrëveshja u ndërmjetësua dhe u garantua nga Egjipti, Katari dhe SHBA-ja, me mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Okupimi (izraelit) është pala që ka dështuar në përmbushjen e angazhimeve të saj dhe mban përgjegjësi të plotë për çdo vonesë apo ndërlikim”, tha Hamasi.

Dje, Trump paralajmëroi se “i gjithë ferri” do të shpërthejë nëse të gjitha pengjet izraelite në Gaza nuk lirohen deri në orën 12:00 të shtunën.

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, sot lëshoi ​​një paralajmërim për Hamasin pas një takimi 4-orësh të kabinetit të sigurisë, duke njoftuar se ai ka urdhëruar ushtrinë të mobilizojë forcat brenda dhe rreth Gazës.

“Kjo vendosje po ndodh derisa flasim dhe do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Netanyahu në një deklaratë televizive.

Kryeministri izraelit u zotua se nëse Hamasi nuk i liron pengjet deri të shtunën në mesditë, “armëpushimi do të përfundojë dhe ushtria izraelite do të rifillojë luftimet me forcë të plotë”.

Derisa Netanyahu nuk specifikoi numrin e pengjeve që pret që Hamasi të lirojë, Radio e Ushtrisë Izraelite, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, raportoi se nëse Hamasi liron tre pengje të shtunën, faza e parë e marrëveshjes do të vazhdojë.

Të hënën, Abu Ubaida, zëdhënës i krahut ushtarak të Hamasit, Brigadat Al-Qassam, njoftoi se lirimi i pengjeve izraelite të planifikuar për të shtunën është shtyrë për një kohë të pacaktuar, duke përmendur shkeljet izraelite të marrëveshjes së armëpushimit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button