Hamas mohon pretendimet e SHBA-së se ka ofruar çarmatim në këmbim të armëpushimit

Hamas ka mohuar një deklaratë të të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, se ishte gati të çarmatosej në këmbim të përfundimit të luftës në Gaza.
Të shtunën, Witkoff u takua në Tel Aviv me familjarë të pengjeve izraelite që mbahen në Gaza, sipas gazetës Haaretz. Ai i siguroi ata se SHBA-ja do të shtynte për një marrëveshje të vetme për lirimin e pengjeve.
Në një incizim të takimit, dëgjohet Witkoff duke thënë se “Hamas ka thënë se është i gatshëm të çarmatoset” dhe se “shumë qeveri arabe tani po kërkojnë çarmatimin e Hamasit”.
“Jemi shumë, shumë afër një zgjidhjeje për ta përfunduar këtë luftë,” shtoi ai. “Nuk besojmë se Hamas flet në emër të popullit… besojmë se ata gëzojnë shumë pak mbështetje politike.”
Hamas reagoi ndaj këtyre komenteve duke i mohuar kategorikisht dhe theksoi se nuk ka bërë kurrë një propozim të tillë. Grupi tha se nuk do të heqë dorë nga armët përveçse në rast se formohet një shtet i pavarur palestinez.
Në një deklaratë, lëvizja palestineze u shpreh se “rezistenca e armatosur… nuk mund të braktiset përveçse përmes rikthimit të plotë të të drejtave tona kombëtare, dhe mbi të gjitha, themelimit të një shteti të pavarur dhe plotësisht sovran palestinez me Jerusalem-in si kryeqytet”.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli u tërhoqën papritur nga bisedimet për armëpushim me Hamasin, ndonëse ndërmjetësuesit thanë se ishte arritur përparim i rëndësishëm drejt një marrëveshjeje.
Sipas Times of Israel, një diplomat arab dhe një burim i përfshirë në ndërmjetësim thanë se negociatorët e Hamasit në Doha kishin bërë të qartë se nuk do të ktheheshin në tryezën e bisedimeve përderisa të zgjidhej kriza e urisë në Gaza.
Në një deklaratë të enjten, Hamasi tha se ishte i gatshëm të “rikthehej menjëherë në negociata sapo ndihma të arrijë tek të nevojshmit dhe sapo kriza humanitare dhe uria në Gaza të marrë fund”, ndërsa burimet izraelite sinjalizuan se korniza për një marrëveshje të pjesshme mund të braktiset.
Në Izrael, një zyrtar i lartë tha në një konferencë për media se “nuk do të ketë më marrëveshje të pjesshme”, duke sinjalizuar një ndryshim në qasjen e vendit ndaj negociatave.
Këtë qëndrim e përforcoi edhe ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i cili në një konferencë të ekstremit të djathtë tha se çarmatimi i plotë dhe dëbimi i Hamasit, së bashku me kthimin e të gjithë pengjeve, është “marrëveshja e vetme e pranueshme”.
Këto deklarata të fundit sugjerojnë se Izraeli ka braktisur kornizën e mëparshme të një armëpushimi me faza dhe po punon bashkë me SHBA-në për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.