Guterres thotë se situata në Gazë është apokaliptike

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë të hënën se situata në Gazë është “apokaliptike” dhe ka paralajmëruar se kushtet me të cilat përballen palestinezët në atë territor, mund të përbëjnë “krimet me të rënda ndërkombëtare”.
Duke e lëshuar një deklaratë në konferencën në Kajro, me qëllim të rritjes së ndihmës humanitare, Guterres i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të “ndërtojë themelet për një paqe të qëndrueshme në Gazë, dhe përgjatë Lindjes së Mesme”.
Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit në Gazë janë vrarë më shumë se 44.000 njerëz, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze.
“Kequshqyerja është në kulm. Sistemi shëndetësor është shembur”, ka thënë ai.
Shefi i OKB-së ka thënë se Gaza tani e ka “numrin më të madh të fëmijëve me gjymtyrë të amputuara”, dhe që “shumë prej fëmijëve po iu nënshtrohen operacioneve pa anestezion”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka qenë kritik edhe për kufizimet e ashpra në dërgim të ndihmës.