Grupet opozitare siriane marrin nën kontroll qytetin Daraa nga forcat e regjimit
Grupet opozitare siriane morën kontrollin e qytetit Daraa që ndodhet pranë kufirit jordanez, në Sirinë jugore, raporton Anadolu.
Grupet ushtarake opozitare që janë kundër forcave të regjimit të Asadit në Daraa, përparuan duke marrë nën kontroll vendbanimet dhe pozicionet ushtarake në zonat rurale dhe duke marrë kontrollin e lokacioneve kryesore.
Pas luftimeve intensive, grupet opozitare morën gjithashtu kontrollin e kryeqytetit të krahinës nga forcat e regjimit.
– Daraa: Shkëndija e kryengritjes në Siri
Daraa ka një rëndësi historike si vendlindja e rezistencës kundër regjimit të Sirisë, veçanërisht pasi pikërisht në këtë qytet u ndez shkëndija e parë e kryengritjes së vitit 2011 kundër regjimit të Bashar Asadit.
Protestat, fillimisht duke bërë thirrje për liri dhe reforma, u shtypën brutalisht nga regjimi, duke shënuar fillimin e luftës civile.
Lëvizja në Daraa filloi më 15 mars 2011, kur një grup studentësh shkruan në murin e një shkolle: “Hej doktor (Bashar Asad), tani është radha jote”, gjë që shkaktoi protesta të gjera në Siri pas përhapjes së Pranverës Arabe në Tunizi, Egjipt dhe Libi.
Nga viti 2012 deri në vitin 2018, Daraa ishte nën kontrollin e forcave opozitare.
Megjithatë, me mbështetjen e grupeve militante të mbështetura nga Irani dhe ndërhyrjen ushtarake të Rusisë, regjimi rifitoi forcën dhe filloi një ofensivë tokësore në qershor 2018.
Në korrik të atij viti, regjimi deklaroi se kishte rimarrë të gjithë provincën Daraa.
Pas kthimit të qytetit nën kontrollin e regjimit, mijëra luftëtarë të opozitës dhe familjet e tyre u detyruan të iknin në veri të Sirisë.