Grubi afër bredhit: Po i afrohemi fundit të 2 kilometërshit në Bllacë!

Zv/kryeministri Artan Grubi ka uruar qytetarët për vitin e ri 2024, ndërsa ka numëruar arritjet e kësaj qeverie. Mbi gjitha ai ka veçuar nënshkrimin e marrëveshjes për korridorin 8 si dhe mbarimin e dy kilometrave të para drejt Prishtinës, shkruan Alfax.mk
“Sollëm vendimet për heqjen e kufinjëve me Shqipërinë dhe Kosovën, përfunduam edhe rikonstruimin e rrugëve nga Struga për Qafë Thanë dhe nga Shkupi për në Bllacë si dhe jemi në hapat e fundit të përfundimit të dykilometërshit të parë të autostradës për Prishtinë, ndërsa jemi në fazën e fundit edhe të shpalljes së 10 kilometrave të autostradës drejt Bllacës.
Ndërtuam shkolla, universitete, konvikte, çerdhe, spitale, rrugë, institucione të reja, përmbushëm premtimet për rritje të rrogës minimale, atë mesatare dhe pensionet, hapëm mijëra vende pune, ulëm papunësinë, subvencionuam qytetarët dhe kompanitë, përfunduam skriningun me sukses, po e marrim hisen në ekonomi, pas hises në barazi dhe në integrim.
Me të gjitha këto dhe shumë të tjera, e shtruam rrugën e besimit dhe bindjes tek shqiptarët dhe tek të tjerët që ne mund të kryeministrojmë, të udhëheqim qeverinë dhe institucionet me dije, guxim dhe dinjitet, duke shtruar kështu rrugën e natyrshme dhe të papenguar për ardhjen e kryeministrit të parë shqiptar.
Por, vitin që kemi para nesh, e kemi vit me një sfidë të madhe, sfidë të betejës midis Rusisë dhe përkatësisë sonë euro-amerikane.
Ne, të gjithë bashkë, gjithnjë kemi ngadhnjyer dhe përkatësinë tonë perendimore nuk kemi lejuar që ta cenojë asnjë agjendë, prandaj dhe kemi nisur formimin e frontit europian dhe kemi shtruar dorën e bashkëpunimit.
Të bashkohemi, të bëhemi një dhe dorëzan të së ardhmes euro-amerikane të vendit tonë”, ka shkruar Grubi.



