Greta Thunberg, pas Tetovës mbërrin në Shkup

Aktivistja për mjedisin Greta Thunberg, përmes një video-mesazhi në Instagram, njoftoi se ndodhet në Shkup dhe se do të marrë pjesë në disa ngjarje që lidhen me çështje sociale dhe mjedisore në Maqedoni.
Ajo paralajmëroi pjesëmarrjen në diskutimin publik që do të mbahet në Qendrën Sociale “Dunya”, me titullin: “Ndalo makinerinë ushtarake: Lufta kundër imperializmit dhe luftërave kapitaliste”.
Në fjalën e saj, Thunberg shtoi gjithashtu se do t’i bashkohet bllokadës protestuese për shpëtimin e lumit Doshnicë në malin Kozhuf, e cila është paralajmëruar për nesër.
Ajo theksoi se ngjarjet në Gaza nuk janë të shkëputura nga kriza klimatike, dhe sipas saj, bëhet fjalë për të njëjtin sistem të dhunshëm, të ndërtuar mbi shfrytëzim, okupim dhe përfitim mbi jetën.
Aktivistja përmendi edhe vendimin e djeshëm të Kuvendit të Maqedonisë, i cili votoi kundër dërgimit të ndihmës humanitare për Gazën, duke shtuar:
“Duhet të ngrihemi në solidaritet, të lidhemi dhe të rezistojmë së bashku”.
Greta dje ishte në Tetovë, ku vizitoi vendndodhjen e re të Qendrës Shoqërore-Kulturore, e cila po riorganizohet me angazhim vullnetar dhe mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë.
Përpara se të mbërrinte në Maqedoni, Thunberg mori pjesë në një protestë në Tiranë, ku kërkoi ndalimin urgjent të rrethimit izraelit të Gazës dhe e dënoi ashpër atë.
View this post on Instagram