Greqia shpreh gatishmëri për të marrë një rol aktiv në të ardhmen e Gazës

Greqia shprehu gatishmërinë për të marrë rol aktiv në të ardhmen e Rripit të Gazës dhe më gjerë në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm George Gerapetritis, duke komentuar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza që u ndërmjetësua nga Turqia, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, si dhe samitin e paqes në Sharm el-Sheikh, theksoi se Greqia është një palë e ndershme në bisedime që ruan marrëdhënie të mira me të gjithë aktorët në rajon.
“Greqia aspiron të luajë një rol aktiv në Gaza dhe në Lindjen e Mesme në ‘ditën pas’, dhe jemi gati të kontribuojmë në mënyrë të konsiderueshme për zbatimin e saj, gjithmonë në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ai në një deklaratë me ministren e Jashtme palestineze, Varsen Aghabekian.
Veçanërisht për rindërtimin e Gazës, ai theksoi se Greqia synon të mobilizojë sektorin e saj privat për të përmirësuar jetën e palestinezëve shpejt dhe në mënyrë të konsiderueshme.
Ndërkaq, Aghabekian shtoi: “Nga ana palestineze, do të bëjmë gjithçka që mundemi për të kaluar nga faza e parë në fazën e dytë. Në fund të këtij rrugëtimi, ne shohim krijimin e një shteti të pavarur palestinez”.
Por, shtoi ajo, çfarë i nevojitet Gazës tani janë nevojat bazë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, mbajtën të hënën një samit të nivelit të lartë në qytetin turistik egjiptian Sharm el-Sheikh, duke mbledhur udhëheqës botërorë për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për planin e armëpushimit të Trumpit për Gazën.
Në fazën e parë të planit, Hamas liroi 20 të kapur izraelitë, ndërsa Izraeli liroi gati 2.000 të burgosur palestinezë. Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, trupat izraelite u tërhoqën nga zonat e dendura me popullsi, dhe ndihmat humanitare filluan të arrijnë në Gaza. Fazat e mëvonshme përfshijnë demilitarizimin e Hamasit, krijimin e një mekanizmi të përkohshëm qeverisës teknokratik dhe vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) për të garantuar sigurinë e kufijve.