GREKO kërkon hetimin e pasurisë së gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve

GREKO – Grupi i shteteve kundër korrupsionit në Këshillin e Evropës, në raportin e fundit për Maqedoninë për parandalimin e korrupsionit në radhët e deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerëson se vendi po bën përparim në zbatimin e rekomandimeve që i janë drejtuar me raporti i mëparshëm.
Ai thekson se jo vetëm sanksionet dhe masat disiplinore për gjyqtarët e pandërgjegjshëm nga viti 2019 e në vazhdim janë të parashikuara në një ligj të qartë dhe preciz, por edhe Komisioni Kundër Korrupsionit (KSHPK) i heton gjyqtarët për gjendjen e tyre pasurore, sipas asaj që ligjet në mënyrë modeste e lejojnë.
Problemi janë prokurorët, dënimet e të cilëve për punë joprofesionale dhe të pakujdesshme janë jo vetëm të rralla, por janë të pamundësuara për shkak të ligjeve. (Shteti ka premtuar ndryshimin e Ligjit për Prokurorinë Publike lidhur me masat disiplinore dhe sanksionet për prokurorët e pandërgjegjshëm).
Nga 19 rekomandimet, një është i paplotësuar dhe figuron në të gjitha raportet. Ky është anëtarësimi i Ministrit të Drejtësisë në Këshillin Gjyqësor. Edhe pse ministri është anëtar sipas detyrës zyrtare dhe nuk ka të drejtë vote, GREKO kërkon që ai të largohet plotësisht nga Këshilli, për të cilin duhet të ndryshohet Kushtetuta. GREKO beson se kjo i jep ende hapësirë ministrit të Drejtësisë që të ndikojë politikisht në përzgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve.
Pasi ish-ministrat Mihajllo Manevski dhe Blerim Bexheti, të cilët në atë kohë kishin të drejtë vote, ndërhynin në çdo zgjedhje dhe shkarkim të gjyqtarëve në seancat e Këshillit Gjyqësor, pasuesit e tyre: Renata Deskoska, Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançeski dhe aktuali Krenar Lloga, thuajse nuk e kanë vendosur këmbën në Këshill. As materiale nuk merrnin, sepse nuk vinin fare në seanca.
GREKO rekomandoi që të zhvillohen rregulla dhe standarde për prokurorët në lidhje me pranimin e dhuratave, mikpritjen dhe përfitimet e tjera dhe që të ushtrohet mbikëqyrja e duhur mbi zbatimin e këtyre rregullave. GREKO vlerësoi se ky rekomandim ishte zbatuar pjesërisht. Ai mirëpriti përmirësimet në lidhje me rregullimin e dhuratave, por vuri në dukje se koncepti i “mikpritjes” nuk mbulohej në mënyrë eksplicite në Kod.
GREKO shpreh keqardhjen edhe që nuk ka përmirësim në sistemin e sanksionimit të deputetëve të parashikuar nga Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit.
Grupi i vendeve kundër korrupsionit nuk është i kënaqur me shqyrtimin sipërfaqësor të gjendjes pasurore të deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të raportuar në pyetësorë, pas raportimit nga informatorët. Ai rekomandon vendosjen e masave të duhura ligjore, institucionale dhe operacionale që do të sigurojnë një shqyrtim më të thelluar të deklaratave të pasurisë dhe pyetësorëve të dorëzuar nga deputetët e Kuvendit, gjyqtarët dhe prokurorët.
“Asnjë deputet nuk është sanksionuar për mospërputhje të gjendjes pasurore me listën e anketimit”, thuhet në raport.



