Gorazd Rosoklija dhe Aleksej Duma, kryesorët e eksportit të trurit nga Maqedonia në SHBA për qëllime shkencore

Në dokumentet e publikuara nga Ministria e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, që lidhen me rastin e miliarderit tashmë të ndjerë Jeffrey Epstein, përmendet edhe Maqedonia e Veriut, në kontekst të një bashkëpunimi shumëvjeçar shkencor ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për një korrespondencë elektronike ku përcillet një hulumtim gazetaresk i Bloomberg Businessweek, me titull “Ilaçi 50-vjeçar që mund të zgjidhë krizën amerikane të vetëvrasjeve”. Në këtë tekst thuhet se shkencëtarë amerikanë, në bashkëpunim me Universitetin Columbia, kanë krijuar një bankë me rreth 1.000 mostra truri njerëzor për studime shkencore, kryesisht mbi vetëvrasjet dhe çrregullimet e humorit.

Sipas hulumtimit, Maqedonia përmendet si një nga vendet që ka kontribuar me mostra, përmes bashkëpunimit me një profesor të Universitetit Kolumbia me origjinë nga Maqedonia. Trutë janë marrë pas vdekjes së personave, janë ngrirë menjëherë dhe janë transportuar në SHBA për qëllime kërkimore, ku më pas janë arkivuar sipas protokolleve shkencore.

Projekti përfshinte edhe trajnimin e psikiatërve dhe patologëve të Maqedonisë në SHBA, sigurimin e granteve ndërkombëtare, pajisjeve laboratorike dhe publikimin e dhjetëra punimeve shkencore në revista ndërkombëtare. Me kalimin e kohës, bashkëpunimi është zgjeruar edhe në studimin e çrregullimeve të tjera mendore.

Në dokument përmenden edhe sfida të procesit, përfshirë ndjesinë e “kolonializmit shkencor”, pengesa administrative dhe mungesën fillestare të standardeve etike, por theksohet se këto janë tejkaluar përmes transparencës, ndërtimit të besimit dhe vendosjes së rregullave ndërkombëtare.

Roli i Gorazd Rosoklija dhe Aleksej Dumës

Në dokument përmenden konkretisht Gorazd Rosoklija dhe Aleksej Duma si figura kyçe të këtij bashkëpunimi. Rosoklija, profesor në Universitetin Kolumbia, ishte lidhja kryesore mes institucioneve amerikane dhe atyre maqedonase, ndërsa Duma, si drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup, mundësoi përfshirjen e institucionit në projekt.

Sipas dokumenteve, Rosoklija ka luajtur rol vendimtar në zgjidhjen e çështjeve administrative, veçanërisht rreth eksportit të mostrave biologjike, ndërsa Duma ka kontribuar në orientimin e institucionit drejt kërkimit shkencor dhe standardeve ndërkombëtare.

Autorët e studimit theksojnë se bashkëpunimi ka ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve shkencore në Maqedoni dhe rekomandojnë që projekte të ngjashme në rajon të bazohen në përfitime të ndërsjella dhe zhvillim lokal të shkencës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button