Gjykata pezullon afatet për çështjen gjyqësore ndaj Trump në zgjedhjet e vitit 2020
Gjykata ka shtyrë të gjitha afatet gjyqësore të vendosura ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump për padinë për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2020.
Gjykatësja Tanya Chutkan miratoi të premten kërkesën e prokurorit të posaçëm Jack Smith, që drejtonte hetimin për çështjen penale të ngritur ndaj presidentit të zgjedhur.
Ekipi i prokurorit Smith shprehet në kërkesën e paraqitur për shtyrjen e afateve se i duhet “kohë për të vlerësuar rrethanat e pahasura më parë dhe të përcaktojë drejtimin e duhur për hapat e ardhshëm, në përputhje me politikën e Departamentit të Drejtësisë”.
Sipas politikës së Departamentit të Drejtësisë, nuk mund të ngrihen akuza ndaj presidentëve në detyrë.
Tashmë që duket se zoti Trump është pranë marrjes së postit më të lartë publik në vend, pas fitores përballë Nënpresidentes Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale, detyra e re mund ta mbrojë atë nga përballja me akuza për atë që u njoh si sulmi ndaj Kapitolit.
Gjykatësja Chutkan i ka udhëzuar prokurorët të paraqesin propozimin e tyre deri më 2 dhjetor, për mënyrën se si mendojnë se duhet vepruar për çështjen ndaj zotit Trump.
Trump ka deklaruar gjithmonë se ka imunitet nga ndjekja penale. Në korrik, Gjykata e Lartë vendosi se ish-presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale dhe ia riktheu çështjen gjykatëses Chutkan-it, që ajo të përcaktojë se si mund të vazhdojë çështja ndaj ish-presidentit.
Avokatët e Trump ishin planifikuar t’i përgjigjeshin deri më 21 nëntor argumentit të prokurorit Smith, që parashtronte se çështja mund të vazhdonte ende, pasi shumica e aktiviteteve për të cilat zoti Trump akuzohej ishin në rolin e tij si kandidat për rizgjedhje, jo si president.
Më 6 janar 2021, ish-Presidenti Trump dhe mbështetësit e tij u përpoqën të pengonin marrjen e presidencës nga Joe Biden-i. Biden kishte fituar përballë presidentit të atëhershëm Trump në zgjedhjet e vitit 2020, por pasi ish-Presidenti Trump mbajti një fjalim të zjarrtë, mbështetësit e tij marshuan drejt Kapitolit, ndërsa ligjvënësit po certifikonin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Mbi 1000 mbështetës të ish-Presidentit Trumpit janë dënuar për pjesëmarrjen e tyre në trazira.
Pavarësisht imazheve të dhunshme që u shfaqën nga ajo ditë, përfshirë pjesëmarrësit që godisnin oficerët e policisë, Trump ka vazhduar t’i karakterizojë mbështetësit e tij si “patriotë” dhe ka thënë se do të falte shumë prej tyre nëse zgjidhet. /voa/