Gjykata Kushtetuese hap dy lëndë për “Safe City”, pas dorëzimit të dy iniciativave

Nga Gjykata Kushtetuese në një njoftim për opinionin bëjnë të ditur se janë hapur dy lëndë mbi bazën e iniciativave të dorëzuara, me të cilat kontestohen disa dispozita të Ligjit për Kundërvajtje, transmeton TV21.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.
Për shkak të interesit të shtuar publik dhe pyetjeve nga gazetarët, informojmë se në Gjykatën Kushtetuese janë hapur dy lëndë pas iniciativave të dorëzuara, me të cilat kontestohen ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, në pjesën që lidhet me vendosjen dhe funksionimin e sistemit elektronik të mbikëqyrjes në trafik, i njohur në opinion si projekti “Qytet i Sigurt – Safe City”.
Lënda e parë – У.бр.25/2026
Dispozita të kontestuara:
Neni 4 paragrafi 5, neni 5 paragrafi 3, neni 8 kapitulli 7-a, neni 48-a (pjesa “dorëzim”), neni 48-b (pjesa “lëshimi i procesverbalit për kundërvajtje në komunikacion me urdhërpagesë rrugore”), neni 7-b (pjesa “pranimi i përgjegjësisë për kundërvajtje”), neni 48-v, neni 48-g (“mospranimi i përgjegjësisë për kundërvajtje”) dhe neni 15 i Ligjit për Kundërvajtje, të datës 23.01.2026.
Parashtrues të iniciativës:
Zijadin Sela, Ilire Dauti dhe Elmi Aziri.
Pretendimet e parashtruesve:
Parashtruesit theksojnë se me këtë projekt vendoset një detyrim ligjor për të gjithë qytetarët që të kenë numër personal telefoni dhe adresë elektronike, në mënyrë që të realizohet komunikimi dhe pranimi i njoftimeve për kundërvajtje të mundshme.
Gjithashtu, ata pretendojnë se është problematike fakti që në asnjë pjesë nuk parashihet respektimi i nenit 7 të Kushtetutës, në lidhje me përdorimin e gjuhëve, gjatë komunikimit përmes mesazheve telefonike apo mjeteve elektronike.
Sipas tyre, qytetarët nuk janë vënë në pozitë të barabartë, pasi sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, duke pretenduar se në këto territore “nën lupë” vihet popullsia shqiptare, e cila është më e përfaqësuar në krahasim me qytetet e tjera të vendit.
Lënda e dytë – У.бр.26/2026
Dispozita të kontestuara:
Nenet 48-b, 48-v dhe 48-g të Ligjit për Kundërvajtje.
Parashtrues i iniciativës:
Ylli Paçuku
Pretendimet e parashtruesit:
Parashtruesi konsideron problematike faktin që sistemi zbatohet vetëm në territorin e qyteteve Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, e jo në të gjithë territorin e shtetit, duke pretenduar se bëhet fjalë për zbatim selektiv territorial dhe mënyrë të kontestueshme të aplikimit të ligjit. Ai thekson se kundërvajtje identike në komunikacion në disa qytete sanksionohen automatikisht përmes sistemit elektronik, ndërsa në pjesë të tjera të vendit nuk i nënshtrohen të njëjtit nivel kontrolli dhe ndëshkimi. Sipas tij, kjo krijon trajtim të ndryshëm të qytetarëve në bazë të vendndodhjes gjeografike. Po ashtu, ai vë në pikëpyetje kriteret sipas të cilave janë përzgjedhur këto qytete dhe kohëzgjatjen e zbatimit të projektit, duke kontestuar edhe të ashtuquajturën “fazë pilot”, e cila, sipas tij, është e paqartë dhe pa afat kohor të përcaktuar.



