Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezullon zgjedhjet lokale në Tiranë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulloi sot dekretin e Presidentit të Republikës për shpalljen e datës së zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës të caktuar për 9 nëntor.

Në njoftim thuhet se Gjykata “vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erjon Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë”.

Presidenti Begaj dekretoi 9 nëntorin si datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashki, përfshirë dhe Tiranën kryebashkiaku i së cilës u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave.

Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.

Këshilli i Ministrave miratoi më 25 shtator vendimin për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, dy ditë pas propozimit të miratuar nga këshilli bashkiak i Tiranës.

Këshilli bashkiak votoi me 50 vota pro miratimit të propozimit për shkarkimin nga detyra të Veliajt.

Pas depozitimit të ankimimit, Gjykata Kushtetuese caktoi gjyqtaren Sonila Bejtja si relatore për shqyrtimin e ankesës së Veliajt, lidhur me shkarkimin e tij nga detyra.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Erion Veliajn si dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.

Veliaj akuzohet në nëntë raste për korrupsion pasiv. Gjithashtu akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button