Gjykata i cakton paraburgim 30-ditor ish-Avokatit të Shtetit, Fehmi Stafa

Gjykata Themelore Penale ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për ish-Avokatin e Shtetit, Fahmi Stafa, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së ndikimit mbi dëshmitarët.
Siç bëjnë të ditur nga Gjykata, masa është caktuar pas pranimit të propozimit të Prokurorisë. Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor 2025, i dyshuari kishte pranuar gjithsej 50 mijë euro për të ndërmjetësuar dhe për të shfrytëzuar ndikimin e tij real, me qëllim që të ndërhynte te një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Shkup.
Sipas Prokurorisë, qëllimi ishte që përmes ryshfetit të ndikohej në kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk do të duhej të ndërmerrej.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Stafa fillimisht kishte kërkuar shumën prej 100 mijë eurosh për të siguruar heqjen e masës së paraburgimit ndaj një personi i cili është i pakapshëm për organet e ndjekjes dhe kundër të cilit Prokuroria po zhvillon një procedurë të veçantë për vepra penale që lidhen me financat publike, qarkullimin pagesor dhe ekonominë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.



