Gjermani, kryebashkiakja sulmohet me thikë. Vajza e adoptuar, e dyshuara kryesore

Kryetarja e sapozgjedhur e bashkisë së qytetit Herdecke, në luginën e Ruhrit, Iris Stalzer, ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi u sulmua me thikë në banesën e saj. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Hagen, policia dhe prokuroria konfirmuan se autorja e dyshuar e sulmit është vajza e saj e adoptuar.
Politikania 57-vjeçare u gjet e ulur në një karrige në dhomën e ndenjes me plagë të shumta me thikë dhe u transportua me urgjencë në spital me helikopter të martën rreth mesditës. Ajo ishte në gjendje të fliste me hetuesit të martën në mbrëmje nga shtrati i spitalit dhe identifikoi vetë sulmuesen.
Detajet e hetimit
Ndërsa policia kontrollonte banesën, në bodrum u zbuluan shenja përleshjeje, rrobat e gjakosura të Stalzer dhe dy thika, që dyshohet se janë përdorur në sulm. Për këtë rast është ngritur një komision hetimor për vrasje në qytetin Hagen.
Megjithatë, prokurori i lartë, Bernd Haldorn, sqaroi se sipas të dhënave aktuale, ngjarja pritet të trajtohet si një rast “dëmtimi i rëndë trupor”, jo si tentativë vrasjeje. Kjo, mes të tjerash, për shkak se 17-vjeçarja bëri vetë thirrjen e emergjencës bashkë me vëllain e saj 15-vjeçar, gjithashtu i adoptuar.
Prokurori tha se nuk përmbushen kushtet për ta mbajtur vajzën në paraburgim, pasi nuk konsiderohet rrezik për arratisje apo për përsëritje të veprës penale. Ajo pritet të lirohet, ndërsa djali 15-vjeçar është tashmë i lirë. Të dy të miturit do të qëndrojnë përkohësisht në kujdesin e shërbimeve sociale për të rinjtë.
Kush është Iris Stalzer
Iris Stalzer u zgjodh kryetare bashkie në raundin e dytë të zgjedhjeve më 28 shtator, duke fituar me 52.2% të votave kundër kandidatit të CDU-së, Fabian Conrad Haas. Posti i kryebashkiakut në Herdecke mbahej prej kohësh nga CDU-ja. Ceremonia e saj e betimit ishte planifikuar të mbahej më 4 nëntor, por u shty për shkak të ngjarjes.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje të qarta mbi motivin e sulmit, por theksuan se vëmendja e madhe ndaj këtij rasti lidhet me pozicionin e lartë të Stalzer në politikën lokale dhe dyshimet e mundshme për motive politike, të cilat nuk janë konfirmuar. (DW)