Gjëma britanike mbi Gazën: Pse aty s’ka ndërtesa historike?!

Kur vizitoni qytetin e vjetër të Gazës, nuk do të gjeni domosdoshmërisht ndonjë ndërtesë të lashtë, përveç disa mbetjeve të shpërndara, si xhamia El-‘Umeri, Pallati i Pashait, Tregu i Kajsarit dhe disa ndërtesa të tjera historike, xhami dhe kisha.

Në pamje të parë, çështja duket konfuze, pasi Gaza është një nga qytetet më të vjetra në botë. Megjithatë, profesori i historisë moderne në Universitetin “Al-Aksa” në Gaza, dr. Yusuf Omer, shpjegon mungesën e ndërtesave të vjetra historike në qytet për shkak të shkatërrimit që pësoi gjatë Luftës së Parë Botërore nga duart e ushtrisë britanike. Qyteti ishte i ekspozuar ndaj vandalizmit të përgjithshëm, rrënimit dhe shkatërrimit të ndërtesave dhe pasurive të tij dhe të gjithë banorët e tij në atë kohë u detyruan të largoheshin nga Gaza.

Beteja të tmerrshme

Historianët pajtohen se me rënien e Gazës në duart e britanikëve gjatë Luftës së Parë Botërore, Deklarata e Balfourit u bë e zbatueshme dhe se rënia e Gazës çoi në rënien e të gjithë Palestinës dhe më pas filloi krijimi i projektit sionist.

Megjithatë, rënia e Gazës nuk ishte aq e lehtë, pasi ushtria osmane mundi ushtrinë britanike në dy beteja radhazi në mars dhe prill 1917, të njohura si Betejat e Parë dhe të Dytë të Gazës. Humbjet e ushtrisë britanike në të dy betejat ishin të larta, 4785 të vdekur dhe 7291 ushtarë të plagosur dhe nga ana tjetër sipas burimeve të shumta referuese historike u vranë 3470 ushtarë osmanë.

Pas humbjes në betejën e dytë, Britania zëvendësoi komandantin e forcave të saj, Archibald Murray, me gjeneralin Edmund Allenby, i cili ndryshoi taktikat ushtarake dhe mori furnizime të mëdha me armë dhe municione.

Allenby sulmoi Gazën duke bërë një depërtim nga qyteti Beersheba ose Be’er-Sheva më 31 tetor 1917. Ai rrethoi forcat osmane nga lindja dhe arriti të korr fitoren në të ashtuquajturën Beteja e tretë për Gazën.

Shkatërrimi sistematik i qytetit

Lufta shkaktoi shkatërrime të mëdha në Gaza, e cila u braktis plotësisht nga banorët e saj. Historiani palestinez Arif al-Arif (1891-1973), në librin e tij “Historia e Gazës”, thotë: “Gaza pësoi shkatërrime të mëdha si rezultat i këtyre betejave, aq sa më shumë se një e treta e qytetit u shkatërrua dhe banorët e tij u larguan tërësisht nga qyteti.”

Nga dokumente të ndryshme historike dhe gazeta të botuara gjatë periudhës së pushtimit britanik (1917-1948), duket qartë se banorët e Gazës kërkuan që Britania t’i dëmshpërblente për shkatërrimin e shtëpive dhe pronave.

Në lidhje me këtë, më 4 tetor 1925, gazeta Al-Yarmouk publikoi lajmin se guvernatori ose kryetari i atëhershëm i Gazës, Omer Sourani, i kërkoi Komisionerit të Lartë britanik Herbert Plumer (1925-1928) të rindërtonte Gazën. Plumer iu përgjigj Souranit: “Unë e siguroj popullin e Gazës për simpatinë time për ta dhe ndihmën që do të jap”.

Nga lajmi i dytë i botuar nga gazeta Mir’āt al-Sharq, shtatë vjet pas lajmit të mëparshëm (30 mars 1932), del qartë se Plumer nuk e përmbushi premtimin e tij, sepse gazeta në fjalë thekson se kryetari i komunës së Gazës, Fehmi el-Husseini, kërkoi që Komisioneri i Lartë i atëhershëm Arthur Grenfell Wauchope, më 24 mars 1932, të përfshinte rindërtimin dhe ndërtimin e qytetit.

El-Husseini iu drejtua Wauchope, duke thënë: “Para Luftës së Parë Botërore, Gaza ishte në një gjendje lehtësie dhe prosperiteti. Por kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Gaza ishte e destinuar të bëhej një fushë beteje për ushtritë ndërluftuese”.

Pastaj shton: “Banorët e saj u detyruan të emigrojnë dhe të shpërndahen në vende të ndryshme dhe humbën të gjithë pasurinë e tyre të luajtshme. Edhe artileria e ushtrive ndërluftuese drejtoi bombat dhe predhat e tyre drejt qytetit, duke e shkatërruar dhe duke e lënë në gërmadha. Për keqardhjen tonë të madhe, të gjitha këto qeveri kanë refuzuar të na ndihmojnë dhe ne mbetemi të mbërthyer në rrënoja”.

 El-Husseini e mbyll letrën e tij me fjalët: “Nëse qyteti ynë, Gaza, do të kishte qenë një nga qytetet në Belgjikë që u shkatërrua gjatë luftës, padyshim që do të ishte rindërtuar dhe në një gjendje më të mirë se sa ishte, dhe ne do të ishim kompensuar për pronën tonë dhe do të përjashtoheshim nga pagesa e taksave”.

Zhvendosja e popullsisë

Historianët pajtohen se të gjithë banorët e Gazës u larguan nga qyteti gjatë Luftës së Parë Botërore. Në lidhje me këtë, El-Arif në “Historinë e Gazës” thotë se ushtria osmane vendosi të evakuonte banorët e Gazës kur ushtria britanike planifikoi të sulmonte qytetin.

El-Arif shton: “Guvernatori i qytetit, Mu’in-beg el-Mar’abi, mblodhi pleqtë dhe udhëheqësit e qytetit dhe i njoftoi ata për urdhrin për evakuim, i cili ishte i detyrueshëm në bazë të vendimit të osmanëve”. Si rezultat, 28,000 njerëz u larguan nga Gaza dhe vetëm 18,000 prej tyre u kthyen në Gaza pas përfundimit të luftës.

El-Arif thekson se popullsia e Gazës gradualisht u rrit pas përfundimit të luftës derisa arriti në 33 mijë banorë në vitin 1943, dhe ata që nuk u kthyen mbetën në Homs, Hama, Haifa dhe Jaffa.

Shejh Osman al-Taba’i (1882-1950), në një libër të tij mbi Gazën  ofron një pamje të errët të gjendjes së palestinezëve pas largimit të tyre nga qyteti dhe thotë: “Të gjithë njerëzit e Gazës janë në gjendje zemërthyer. Ata shkuan në fshatrat përreth Gazës, me shpresën se do të kthehen së shpejti. Kësisoj, ata lanë pas pjesën më të madhe të pasurisë së tyre të luajtshme dhe të paluajtshme.”

Ka të ngjarë që shumë nga banorët aktualë të Gazës të mos kenë informacion të mjaftueshëm për tragjedinë që ndodhi në qytetin e tyre në vitin 1917 dhe mërgimin e të parëve të tyre në atë kohë, por padyshim që pasojat e saj vazhdojnë të vuajnë edhe sot e kësaj dite. /tesheshi/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button