GHF-ja amerikano-izraelite në Gaza përfundon, një kronologji e dhunës

Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli për të mbikëqyrur shpërndarjen e ndihmave në Gaza, ka njoftuar se po e përfundon “misionin” e tij të kontestuar dhe po i mbyll qendrat e shpërndarjes së ndihmave pas një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të.
Nën presion në rritje ndërkombëtar për të lejuar hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës të rrethuar që më herët këtë vit, Izraeli dhe SHBA mbështetën GHF-në si një agjenci të pavarur për administrimin e ndihmave. Izraeli e bllokoi plotësisht hyrjen e ndihmave në Rrip nga muaji mars, duke pretenduar se Hamasi po i vidhte ndihmat e ofruara nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA. Izraeli nuk ofroi asnjë provë për këtë dhe gjithashtu ndaloi punonjësit e UNRWA-s të hynin në Rrip që nga muaji shkurt.
Ndërsa rrjeti i UNRWA-s kishte rreth 400 pika operimi përgjatë Rripit para kësaj, GHF-ja, e mbrojtur nga kontraktorë privatë të armatosur amerikanë, ngriti vetëm katër “mega-pika” – tre në Gazën jugore dhe një pranë qytetit të Gazës – për të shpërndarë ushqim dhe ndihma të tjera për popullsinë prej rreth dy milion palestinezësh.
Për më tepër, që nga nisja e operacioneve në Gaza në maj, forcat izraelite dhe disa kontraktorë amerikanë kanë qëlluar në mënyrë të përsëritur mbi palestinezët që vinin për të marrë ndihma. Çrregullimi rreth qendrave shkakton turmë të madhe njerëzish, dhe disa persona janë mbytur ose kanë vdekur nga shtypja në turma.
Ndërsa Drejtori Ekzekutiv i GHF-së, John Acree, tha të hënën në një deklaratë se organizata ofroi “operacionin e vetëm të ndihmave që shpërndau në mënyrë të besueshme dhe të sigurt vaktet falas drejtpërdrejt te palestinezët në Gaza”, më shumë se 2.000 persona që kërkonin ndihmë janë shtypur deri në vdekje ose vrarë nga të shtënat, sipas shifrave të OKB-së.
Këtu është kronologjia e mënyrës se si u zhvillua “misioni” i GHF-së në Gaza këtë vit:
26 maj – GHF lëshon një deklaratë duke njoftuar se do të fillojë shpërndarjen direkte të ndihmave brenda enklavës së goditur, disa orë pasi drejtori i saj ekzekutiv, Jake Wood, dha dorëheqjen duke përmendur shqetësime mbi pavarësinë e agjencisë. OKB-ja dhe organizata të tjera të ndihmave refuzojnë të punojnë me GHF-në, duke paralajmëruar se detyrimi i palestinezëve të mblidhen në disa pika të centralizuara do t’i rrezikonte ata dhe do të minonte përpjekjet e tjera humanitare.
27 maj – GHF fillon operimet në Gaza. Forcat izraelite hapin zjarr ndaj mijëra palestinezëve që po përpiqeshin të merrnin ushqim në zonën e Rafahut në Gazën jugore, duke vrarë të paktën 10 persona dhe plagosur dhjetëra. Kërkuesit e ndihmave detyrohen të kapërcejnë gardhe dhe të shtyhen nëpër turma të dendura për të arritur te furnizimet shpëtimprurëse. Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, thotë se pamja e mijëra palestinezëve që dynden drejt pikës së ndihmave është “thyerëse zemre”, pasi kaosi thekson nivelin tronditës të urisë që ka pushtuar Gazën. Zyra e Mediave të Qeverisë së Gazës e quan incidentin “masakër të qëllimshme dhe krim lufte të mirëfilltë”.
29 maj – Forcat izraelite hapin zjarr në një pikë ndihmash në Gazën jugore, duke vrarë 10 persona dhe plagosur dhjetëra. Pak më vonë, raportohet për disa shpërthime pranë një qendre tjetër ndihmash në Korridorin Netzarim, i cili ndan Gazën veriore nga pjesa tjetër e Rripit. Nuk është e qartë se çfarë i shkaktoi shpërthimet dhe nuk raportohet për viktima.
30 maj – Forcat izraelite hapin zjarr ndaj civilëve që po prisnin të merrnin ushqim në një pikë shpërndarjeje të GHF-së në rrugën Salah al-Din në Gazën qendrore, duke plagosur të paktën 20 persona.
1 qershor – Tanket izraelite vrasin të paktën 32 palestinezë që po prisnin të merrnin ushqim në dy qendra shpërndarjeje në Gaza, duke lënë të plagosur më shumë se 200 të tjerë.
3 qershor – Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, thotë se vrasja dhe plagosja e palestinezëve që kërkonin ndihma është “e papranueshme” dhe bën thirrje për një hetim të pavarur pasi forcat izraelite hapën zjarr pranë një pike ndihmash në Rafah. Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se të paktën 27 palestinezë janë vrarë dhe 90 janë plagosur në incident.
8 qershor – Të paktën 13 palestinezë vriten dhe më shumë se 150 plagosen kur trupat izraelite dhe kontraktorë amerikanë të sigurisë hapin zjarr ndaj turmave që prisnin ushqim pranë dy pikave të shpërndarjes së ndihmave – një në lindje të Rafahut dhe një tjetër pranë urës Wadi Gaza. Zyra e Mediave të Qeverisë së Gazës akuzon Izraelin për kthimin e qendrave të shpërndarjes në “thertore njerëzore”.
16 korrik – Të paktën 21 palestinezë vriten në një qendër shpërndarjeje të GHF-së në Gazën jugore. Dëshmitarët thonë se forcat izraelite hapën zjarr ndaj turmës, duke shkaktuar një shtypje masive. Të paktën 15 persona vdiqën nga mbytja, ndërsa të tjerët u qëlluan. Mohammed Abedin, 24 vjeç, i cili mbijetoi incidentin, i tha Al Jazeera-s se ata u “qëlluan si kafshë”.
22 korrik – Kombet e Bashkuara thonë se numri i palestinezëve të vrarë gjatë përpjekjes për të marrë ushqim nga qendrat e GHF-së ka kaluar 1,000.
1 gusht – Një ish-kontraktor i GHF-së, Anthony Aguilar, i tregon Al Jazeera-s për praktikat vdekjeprurëse dhe joprofesionale që ai thotë se i ka parë me sytë e tij në qendrat e ndihmave në Gaza. Kjo përfshin hapjen e “të shtënave paralajmëruese” ndaj një popullsie të paarmatosur duke përdorur artileri të rëndë. “Ata i quajnë të shtëna paralajmëruese, unë i quaj krime lufte,” tha ai.
2 gusht – Të paktën 38 palestinezë që kërkonin ndihma në qendrat e operuara nga GHF-ja vriten, pavarësisht se Izraeli njoftoi më 27 korrik se do të fillonte zbatimin e “pauzave taktike” të luftimeve në disa zona për të lejuar më shumë akses në ndihma humanitare.
5 gusht – Njëzet e tetë ekspertë të OKB-së bëjnë thirrje për çmontimin e GHF-së, duke e përshkruar atë si një “shembull jashtëzakonisht shqetësues” të shpërdorimit të ndihmave për qëllime ushtarake.
9 gusht – Izraeli lejon disa vende, përfshirë Gjermaninë, Belgjikën dhe Jordaninë, të hedhin ndihma me parashuta në Gaza, mes zemërimit botëror, por një djalë palestinez 15 vjeç vritet pasi shtypet nga një paletë që ra gjatë një hedhjeje pranë të ashtuquajturit Korridori Netzarim në Gazën qendrore.
4 shtator – Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) thotë se ka regjistruar më shumë se 2.146 vdekje në afërsi të qendrave të operuara nga GHF-ja dhe përgjatë rrugëve të karvaneve të ndihmave.
12 tetor – GHF konfirmon se ka pezulluar operacionet pas njoftimit për një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA mes Izraelit dhe Hamasit, i cili hyri në fuqi më 10 tetor.
10 nëntor – Dokumentari Breaking Ranks: Inside Israel’s War transmetohet në rrjetin britanik ITV. Ai përfshin dëshmi nga ushtarë izraelitë të dislokuar në Gaza, me disa që përshkruajnë se si rojet e GHF-së “hapnin zjarr edhe kur nuk shihnin një kërcënim konkret”.
24 nëntor – GHF njofton se po e përfundon “misionin” e tij në Gaza pas armëpushimit. Ai pretendon se ka shpërndarë më shumë se 3 milionë kuti ushqimore, ekuivalente me 187 milionë vakte. /Al Jazeera/



