Gërvalla: Serbia nuk ka një politikë të jashtme ndryshe nga ajo e Moskës

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë se Serbia nuk ka nja politikë të jashtme ndryshe nga ajo e Moskës, raporton Anadolu.

Gërvalla, nëpërmjet rrjetit social amerikan “X”, ka thënë se historia ka dhënë mësim që për të kuptuar synimet e Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë duhet të vëzhgohen veprimet e Serbisë.

“Serbia nuk ka një politikë të jashtme të ndryshme nga ajo e Moskës. Dje, presidenti i Serbisë deklaroi se rendi botëror ka vdekur dhe se vendi i tij do ta dyfishojë ushtrinë. Ky mesazh është qartazi njëkohësisht për Rusinë dhe nga Rusia”, shkroi Gërvalla.

Kryediplomatja kosovare tha se fakti është se askush nuk e kërcënon Serbinë dhe se kërcënimi i vërtetë qëndron te lidershipi i saj, “i cili, në vend se të ndërtojë një shtet normal evropian të përqendruar në reformat e BE-së dhe në demokraci, ëndërron për një perandori rajonale – një mentalitet rus në miniaturë”.

“Nuk do të ishte hera e parë që Serbia i vë flakën Evropës”, përfundoi Gërvalla.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajti mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare të dielën, një ditë pas arrestimit të kryetarit të Venezuelës, Nicoals Maduro, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me këtë veprim, sipas Vuçiq, është kryer një “krim i paparë në skenën politike ndërkombëtare”, ndërkohë që në mbledhje ka folur edhe për Kosovën, përkatësisht rrezikun, sipas tij, që i paraqitet Serbisë përmes forcimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për aleancën Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Vuçiq është shprehur se Serbia po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe po përgatitet për mbrojtje.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button