Gaza është shndërruar në 39 milionë tonë mbeturina

Programi i OKB-së për Mjedisin (UNEP) ka lëshuar një raport që nënvizon “ndikimin e thellë” të sulmeve të Izraelit në Gaza, të cilat kanë gjeneruar rreth 39 milionë tonë mbeturina që nga 7 tetori.
Raporti i së martës i cili u përgatit bazuar në informacionin e marrë nga distanca dhe nga aktivitetet e OKB-së në terren për shkak të kushteve të sigurisë dhe kufizimeve të hyrjes, vuri në dukje se puna në terren do të kryhet kur ta lejojnë kushtet e sigurisë.
“Përshkallëzimi i konfliktit që nga 7 tetori 2023 ka patur qartë një ndikim të thellë mbi njerëzit dhe mjedisin në Gaza,” vuri në dukje ai, duke theksuar se “bombardimet intensive nga Izraeli kanë çuar në një intensitet të paprecedentë të shkatërrimit në aspektin e infrastrukturës, aseteve prodhuese dhe ofrimin e shërbimit.”
Ai thekson se komuniteti i Gazës ka qenë i ekspozuar ndaj rreziqeve të ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit, duke shkaktuar dëme të pakthyeshme në ekosistemet natyrore.
Raporti kërkoi një armëpushim të menjëhershëm për të mbrojtur jetët dhe për të zbutur efektet afatgjata mjedisore.
Duke vënë në dukje investimet e kaluara në trajtimin e ujërave të zeza dhe përpjekjet për restaurimin e ekosistemit në Gaza, raporti tha: “Shkatërrimi i ndërtesave, rrugëve dhe infrastrukturës tjetër ka gjeneruar mbi 39 milion ton mbeturina, disa prej të cilave janë të kontaminuara me mjete të pashpërthyera, asbest dhe substanca të tjera të rrezikshme. .”
“Eshtrat njerëzore janë varrosur në këtë sasi të madhe mbeturinash ndërtimi,” shtoi ai.



