Gaza, akoma nxirren kufoma nga rrënojat, numri i të vrarëve arrin në 48.239
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/gaza1-780x470.jpg)
Mjekët palestinezë dhe ekipet e shpëtimit nxorën 14 trupa të tjerë nga rrënojat në Rripin e Gazës, duke e çuar në 48.239 numrin e përgjithshëm të të vrarëve nga lufta gjenocidale e Izraelit që nga tetori 2023, raporton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza përmes një deklarate bëri të ditur se numri përfshin gjithashtu tre palestinezë të vrarë nga ushtria izraelite në 24 orët e fundit.
Sipas ministrisë, dy të plagosur u shtruan gjithashtu në spitale, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në 111.676 në sulmet izraelite.
Ministria gjithashtu bëri të ditur se shumë viktima janë ende të bllokuar nën rrënoja.
Që nga 19 janari, në fuqi është një marrëveshje armëpushimi në Gaza, duke ndalur luftën izraelite që ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe ka lënë enklavën palestineze në gërmadha.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.