Gashi: Së bashku me NDI promovuam kurikulën e re për gazetari hulumtuese

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se në bashkëpunim me NDI-në, kanë organizuar ngjarjen për promovimin e kurrikulës së re për gazetari hulumtuese në kuadër të lëndës “Arsimi qytetar”.
“Së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës, znj. Vesna Janevska, kryetaren e Komisionit për Arsim, znj. Ivanka Vasilevska, si dhe me ambasadorin e Konfederatës Zvicerane, Sh.T. z. Kristofer Zomer, dhamë një mesazh të qartë se investimi në arsimin qytetar cilësor, në edukimin mediatik dhe në mendimin kritik është një prioritet i përbashkët shtetëror dhe shoqëror. Theksova rolin e pazëvendësueshëm të mësimdhënësve dhe sigurova se Kuvendi mbetet partner aktiv në edukimin dhe fuqizimin demokratik të brezave të rinj, si dhe i përkushtuar në ndërtimin e një sistemi cilësor që gërsheton arsimin formal dhe atë joformal. “Gazetaria hulumtuese, në thelbin e saj, është një disiplinë e pyetjeve, e dëshmive dhe e përgjegjësisë. Qëllimi nuk është të krijojmë gazetarë me çdo kusht, por të krijojmë qytetarë që dinë të dallojnë faktin nga manipulimi, argumentin nga fyerja, interesin publik nga sensacionalizmi.”, ka deklaruar Gashi.



