Gashi për tragjedinë në rrugën Rahçe-Saraj: Janë të pakta fjalët për të përshkruar dhimbjen që na ka mbërthyer të gjithëve!
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka shkruar për tragjedinë që ka ndodhur në rrugën Rahçe- Saraj, ku deri tani jetën e kanë humbur tre persona ndërsa një tjetër po kërkohet. Gashi thotë se ky aksident ka lënë pas një boshllëk të madh në jetët e atyre që humbën të dashurit e tyre, duke tronditur të gjithë vendin.
“Janë të pakta fjalët për të përshkruar dhimbjen që na ka mbërthyer të gjithëve pas aksidentit tragjik që ndodhi në rrugën e fshatit Rahçe – Saraj, ku humbën jetën tre persona dhe një tjetër mbetet ende i zhdukur. Ky aksident ka lënë pas një boshllëk të madh në jetët e atyre që humbën të dashurit e tyre, duke tronditur të gjithë vendin.
Në mes të kësaj tragjedie, lajmi se vogëlushi 4-vjeçar ka shpëtuar dhe është jashtë rrezikut për jetë ofron një ngushëllim të vogël për të gjithë ata që presin lajme të mira.
Në emrin tim personal, dhe në emër të Kuvendit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët që po përballen me këtë tragjedi të rëndë. Lutemi që Zoti t’u dhurojë forcë dhe durim për të përballuar këtë dhimbje”, ka shkruar Gashi.