Gashi: Mësuesit kanë rol të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin e brezave të rinj

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka uruar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, duke shprehur mirënjohje për kontributin e mësimdhënësve në edukimin e brezave të rinj.
Në mesazhin e tij, Gashi theksoi rolin e rëndësishëm të mësuesve në formimin e shoqërisë dhe zhvillimin e arsimit.
“Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësimdhënësit që, me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, kanë një rol të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.”
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e shkollës dhe të mësuesve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
“Shkolla dhe mësuesit kanë qenë gjithmonë shtylla të rëndësishme të ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe kulturës, duke mbjellë te brezat e rinj dashurinë për dijen, përgjegjësinë qytetare dhe vlerat demokratike.”
Kryeparlamentari theksoi se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin procesin arsimor dhe zhvillimin e tij.
“Në emër të Kuvendit dhe në emrin tim personal, shpreh falënderimin dhe vlerësimin tim për të gjithë mësuesit dhe punonjësit e arsimit për kontributin e tyre të çmuar në formimin e së ardhmes së vendit, ndërsa njëkohësisht rikonfirmoj angazhimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të procesit arsimor.”
Në fund të mesazhit, ai uroi të gjithë mësuesit për këtë ditë të veçantë.
“Urime të përzemërta për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe Shkollës Shqipe!”



