Gashi me Drejtorin Ekzekutiv të OGP-së: Kuvendi do të mbetet i përkushtuar për transparencë dhe digjitalizim

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur sot në takim Drejtorin Ekzekutiv të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP), Z. Aidan Eyakuze, me të cilin ka diskutuar për përkushtimin e Kuvendit në fushën e transparencës, digjitalizimit dhe përfshirjes qytetare.
“Diskutuam për përkushtimin e Kuvendit ndaj transparencës, digjitalizimit, llogaridhënies dhe përfshirjes qytetare, si dhe për zbatimin e Planit të ri të Veprimit 2024–2026,” theksoi Gashi.
Ai vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me OGP-në dhe e cilësoi si mundësi të rëndësishme për të avancuar proceset demokratike:
“Sigurova që Kuvendi mbetet i përkushtuar për të avancuar rolin e tij si institucion i hapur, digjital dhe i afërt me qytetarët. Bashkëpunimi me OGP është një mundësi reale për të forcuar demokracinë përmes veprimeve të matshme dhe të prekshme,” u shpreh Gashi.
Nga ana tjetër, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e zhvillimit të iniciativave konkrete që do të mundësojnë përfshirje më të madhe të qytetarëve dhe rritje të transparencës institucionale.