Gashi: Marrëveshja e Ohrit është themeli ynë i përbashkët për një shtet që u takon të gjithëve

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka përkujtuar sot 24-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke e cilësuar atë si një dokument historik që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe hapi rrugën për paqe, barazi dhe bashkëjetesë.
“Sot përkujtojmë 24-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje e cila jo vetëm që i dha fund një konflikti, por hapi rrugën për paqe, barazi dhe bashkëjetesë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shkroi Gashi.
Ai theksoi se Marrëveshja nuk duhet të mbetet vetëm një simbol historik, por të shndërrohet në standard praktik të funksionimit të shtetit.
“Është koha që Marrëveshja e Ohrit të mos jetë më vetëm simbol i paqes, por një standard praktik i barazisë, përfaqësimit dhe drejtësisë. Është koha të kalojmë nga respektimi minimal, në avancimin e saj për zhvillimin demokratik në përputhje me realitetin dhe aspiratat tona europiane”, u shpreh kryeparlamentari.
Gashi bëri thirrje për unitet të të gjithë qytetarëve në interes të shtetit.
“Është koha që të gjithë qytetarët të bashkohemi me përgjegjësi për interesat e përbashkëta të shtetit tonë. Marrëveshja e Ohrit është themeli ynë i përbashkët për një shtet që u takon të gjithëve”, përfundoi ai.