Gashi: LEN-i e ka kandidatin e vet për President

Opozita shqiptare, e bashkuar në koalicionin Lidhja Europiane për Ndryshim, do të ketë kandidatin e saj për president në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit. Këtë e konfirmoi sot kryetari i Alternativës Afrim Gashi nëpërmjet një publikimi në Facebook.
“Sot, kur edhe zyrtarisht po shpallen zgjedhjet presidenciale, dua ta njoftoj opinionin se Lidhja Europiane për Ndryshim tashmë e ka kandidatin e saj për president. Kandidati i Lidhjes do të jetë një emër i respektuar, i cili del përtej kufijve etnikë e politikë, duke qenë një mundësi e rrallë që në Maqedoninë e Veriut për herë të parë të shprehet karakteri multietnik i shtetit”, publikoi Gashi.
Ai tha se LEN garon që t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të sivjetme.
“Lidhja ka kandidat që i hy kësaj gare për ta fituar dhe për t’u bërë president i Maqedonisë së Veriut, i cili nuk do të jetë “tjetri”, por që do të jetë “i yni”. Emri i tij do të bëhet publik ditëve në vijim. Po vjen një lajm i mirë”, thotë Gashi.



