Gashi: Badinteri është mekanizëm mbrojtës për të drejtat të etnive e kombeve!

Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, ka komentuar ngjarjet e fundit politike në vend në një intervistë për Televizionin Alsat.
Gashi i pyetur rreth mekanizmit të Badinterit, ka sqaruar se ai mekanizëm ka orientim mbrojtës e jo keqpërdorues.
“Në takimet javore që kam me gazetarët shpesh është hapur kjo çështje. Dhe më është bërë pyetja e Badinterit a e kemi, a nuk kemi. Gjithmonë ju kam thënë dhe po e përsërisë se çështja e Badinterit ka të bëjë konkretisht me ligjet konkrete. Në këtë rast, kur kemi të bëjmë me Safe City, me Ligjin për kundërvajtje e kështu me radhë, nëse kemi qasje konstruktive për të gjetur zgjidhje për të mirën e qytetarëve mendoj se nuk duhet të keqpërdoret ai mekanizëm. Ai mekanizëm i Badinterit është menduar si mekanizëm mbrojtës për të mbrojtur të drejtat e etnive, kombeve brenda vendit tonë. Kështu që kur ulen në tavolinë, kur shihen në sy, kur bisedojnë me njëri-tjetrin, kur e shohin se nuk ka energji negative, por ka dëshirë të dalin nga ngërçi, mendoj se shumë lehtë mund të gjendet zgjidhja. Sot liderët që kanë marrë pjesë në atë takim, kanë shfaqur edhe pjekuri edhe i kanë përfaqësuar edhe gjithë qytetarët, por edhe subjektet e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Gashi.



