Gashi: 2023-ta vit i bashkimit, 2024-ta vit i ndryshimit

Krerët e opozitës së bashkuar në koalicionin Lidhja Europiane për Ndryshim zhvilluan sot brifing fundviti me gazetarë. Pas takimit, kryetari i Alternativës Afrim Gashi publikoi se gjatë vitit që po lëmë pas, është shënuar një vit historik, për shkak se “për herë të parë opozita shqiptare bashkohet dhe vjen me mundësi reale dhe forca serioze për ta mposhtur BDI-në dhe për ta ndërprerë regjimin 20-vjeçar të saj”.
Ai vlerëson se viti 2024 do të jetë vit i ndryshimit dhe i fitores së Lidhjes Europiane për Ndryshim.
”Viti 2023 ka qenë një vit që ka ndryshuar lojën, ne po thellojmë çdo ditë e më shumë bashkëpunimin, po bashkojmë forcat, kemi nënshkruar deklaratë, kemi zhvilluar takime me faktorët ndërkombëtarë, me përfaqësues të diasporës, dhe po realizojmë çdo ditë takime me qytetarët. E shohim interesimin e madh të njerëzve dhe entuziazmin e strukturave, prandaj ju sigurojmë që 2024 do të jetë viti që do të ndyshojë situatën e padëshiruar të qytetarëve. 2024 do të jetë vit i ndryshimit në çdo fushë, vit i progesit dhe reformave, pra vit i Lidhjes Europiane për Ndryshim”, shkruan Gashi.



