Fytyra pas Maskës se cowboy-ve të perënduar

Në qoftë se njeriu perëndimor e heq maskën e vet, nëse heq dorë për të qenë personazh në Histori, do të mbetet i disponueshëm për t’u zgjedhur vetë. Dhe nuk është e mundur të zgjedhësh vetveten si person pa zgjedhur në të njëjtën kohë dhe njerëzit e tjerë.

Por rruga nuk mbaron këtu; ajo veç fillon. (Maria Zambrano) 

Shkruan: Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Asaj dite, baulja ishte veç gjysmë e mbushur. Gjysmën tjetër ia lashë peshqesh Tokës së Premtume; lashë mjaftueshëm boshllëk për Andrrën amerikane. Sa a si për adet, në fillim të aventurës, numërova orët që do t’ia falnim qjellit derisa të zbarkonim në Atlanta. Nëse ndalesat mes dy kontinenteve merrnin mbarë, mund të na duheshin thuajse dy ditë të plota për të mbërritur. Për një sy të uritun, kërkonjës Nishanesh, kjo pritje nuk ishte aspak e sikletshme. Madje edhe nëse avionët do të ngatërroheshin diku ndër re, pritja s’do ta lëshonte asnjë za kumrije.

Ndërkohë që neonet e limanit qjellnor i përflaknin habitë, tinëz – arsyes i thërriste sertë, strajca që kishte mbledhur mjaftueshëm libra, sa për të mos u mërzitur me zhurmën dhe vetminë. I pari ndër ta hapej kësisoj:

Fytyra pas maskës amerikane.

Me dashni,

Një dost Iluminues 

Kështu nisi grishja për të parë matanë. (E megjithatë, e përtejma do të xixëllonte vetëm vite më vonë)

“Tek gjeologjia kam kërkuar katastrofën e ardhshme dhe të shkuar të shoqërores, e kam kërkuar në këtë rikthim të thellësisë, të cilën e dëshmojnë hapësirat e hullizuara, relievet e kripës dhe gurit, kanionet ku zbret lumi fosil, greminat e kahershme të javashmërisë që janë erozioni, gjeologjia e gjer te vertikaliteti i megalopoleve.

Këtë formë bërthamore, këtë katastrofë të ardhshme, e dija qysh në Paris. Po për ta kuptuar duhej bërë ky udhëtim, i cili realizon atë që Virilio e quan estetika e zhdukjes.

Sepse forma shkretëtirore mendore, e cila është formë e qashtër e shkretisë sociale, zmadhohet shumë shpejt. Mosdashuria e gjen formën e vet të qashtër tek shpejtësia varfanjake. Sepse, ajo që shkretimi, apo zbërthamëzimi social e ka të ftohtë dhe të vdekur, këtu, tek ngrohtësia e shkretëtirës, gjen formën e vet të soditshme. Transpolitika gjen hapësirën e vet përtëritëse dhe mendore tek transversaliteti i shkretëtirës, tek ironia e gjeologjisë. Jonjerëzorja e botës sonë të mëpastajshme, joshoqërore dhe sipërfaqësore, gjen formën e vet estetike dhe ekstatike. Sepse shkretëtira nuk është veçse kjo gjë: një kritikë ekstatike e kulturës, një formë ekstatike e zhdukjes.” (Jean Baudrillard)

Kapërcimi nga Londra në Teksas nuk qe aq i shkurtër, kështu që patëm mjaftueshëm kohë për ta ri-dimensionuar ca ngazëllimin fëminor sikundër dhe për t’i stërvitur disi pritshmëritë. Fluturimi prej Dallas-i drejt Atlantës i  hapi portat e një vëzhgimi hapësinor të papërshkrueshëm, por sosja në Statesboro sikur i vuri disi fre shpresës.

Aty, mbase për të parën herë provon ca ndjesina aq të athta saqë më dukej sikur, anise rritun mes përvujtnish e pamundësish kornike, na, fëmijët e nanave që e tamëlsojnë konakun me Shpirt – e kemi thuajse sprovë të pakapërcyeshme fjollshmërinë e çarçafit. Gjithsesi, në Amerikë s’kish gjë të pamundur; andaj edhe hallit tonë, qysh të nesërmen, iu gjet një çare.  

Ditët nisën me rrjedhë normalisht. Universiteti ishte afër, por në mbrëmje s’mund të dilje kurrë vetëm. Një makinë policie nga brenda kampusit bëhej shoqëruesja e heshtur pas çdo hapi, derisa mbyllej dera e hotelit vuv, ku po qëndronim. 

Lufta për Frymën  

Ne do të thoshim se, ndërsa bindjet i përkasin të kaluarës, ne i vendosim në të kaluarën vetëm kur e marrim vesh këtë gjë, mbasi shpesh as që e kuptojmë se janë bindje; thjesht, jetojmë me to. Përkundrazi, kur mendohesh mirë shkon drejt së ardhmes, se do ide është e drejtuar nga e ardhmja dhe e përgatitë atë, kurse bindjet i ndiejmë të vijnë nga e kaluara, prandaj na strehojnë e na mbajnë si në një prehër të ngrohtë, kur e ardhmja na errësohet e na mbyllet. (Maria Zambrano) 

Një ditë prej ditësh, pas një bisede të gjatë e të ngarkuar mbi komunizmin enverist dhe gjenocidin serb ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve, nga universiteti u nisëm drejt Andersonville-it ose ish-kampit ushtarak të njohur gjerësisht si Camp Sumter. I ndërtuar në fillim të vitit 1864, në shtetin e Xhorxhias, ky vend, dikur shërbeu si burg ushtarak për robërit e Luftës Civile Amerikane.

Ciceroni, një djalë i ri i veshur me uniformë ushtarake, na priti me shumë dashamirësi duke rrëfyer se: “Camp Sumter funksionoi për vetëm katërmbëdhjetë muaj, por gjatë asaj kohe rreth 45 mijë ushtarë të Unionit u mbajtën të mbyllur brenda telave dhe mureve të tij. Afro 13 mijë prej tyre nuk dolën kurrë të gjallë, ngaqë ishin dërrmuar nga sëmundjet, mungesa e higjienës, uria, mbipopullimi dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj kushteve çnjerëzore. Në fillim, kampi shtrihej në një sipërfaqe prej 16.5 hektarësh, rrethuar nga një mur prej trungjesh pishe, rreth 4.5 metra i lart. Në qershor të vitit 1864, përballë një mbipopullimi tashmë të pakontrollueshëm, hapësira zgjerohet në 26.5 hektarë, por ky zgjerim nuk sjell asnjë lehtësim real për ata që ndodhen brenda. Çdo 27 metra mbi mur ishin ngritur kulla vrojtimi, ndërsa rreth gjashtë metra larg tij ishte përcaktuar kufiri famëkeq, i njohur si “deadline” apo vija e padukshme fatale. Qoftë dhe përpjekja minimale për ta kaluar apo kapërcyer ndalohej rreptësisht dhe ndëshkohej me vrasje të menjëhershme, pa paralajmërim. Ky kufi nuk ishte thjesht masë sigurie, por shprehje e pastër e dhunës së institucionalizuar, një mekanizëm sundimi i ndërtuar mbi frikën absolute.”

Me një qetësi akullnajore, ciceroni na shpjegoi se të burgosurit mbërrinin pa ndërprerje atypari. Nga fundi i shkurtit 1864 rreth 400 njerëz futeshin në kamp gjatë ditës. Në fundqershor, numri i tyre kishte arritur në 26 mijë të ngujuar në një hapësirë të projektuar për vetëm 10 mijë. Ndërsa në gusht, kampi numëronte mbi 33 mijë të burgosur, mbijetesa e të cilëve ishte thuajse “rastësi” ose “fat!”

“Autoritetet nuk qenë kurrë në gjendje të siguronin as kushtet më minimale të jetesës si strehimi, ushqimi, veshmbathja apo kujdesi mjekësor. Dëshmitë e të burgosurve, të ekspozuara në copëza dokumentesh përreth nesh, flasin për një mjedis të shpërfytyruar nga parazitët, balta dhe mbetjet organike, ku sëmundjet përhapeshin me shpejtësi shkatërruese. Camp Sumter – ndër tjerash ishte një hapësirë degradimi fizik e moral, ku dinjiteti njerëzor qe zhveshur nga çdo lloj  kuptimi” – tha ai duke na ftuar më në brendësi të kampit.

Asaj dite, tek po shkelnim brenda hapësirës së ish-kampit, qe e pamundur të mos i imagjinoje trupat e dobësuar që shtypen mbi njëri-tjetrin për një fije frymë, për një pikël ujë a për një shpresë që nuk u vjen kurrë. Andersonville-i nuk ishte thjesht një kamp i së shkuarës; ai, tej çdo drithërime ishte furtunë paralajmërimi se kur njeriu shndërrohet në numër dhe dhuna bëhet ligj, historia është gjithmonë e gatshme të përsëritet! Qoftë dhe në (prej) Amerikë(s).

Zaptimi i rrënjëve të Historisë

“Mbi të gjitha, mos e gënjeni veten. Njeriu që gënjen veten dhe dëgjon gënjeshtrën e tij arrin në një pikë sa nuk mund të dallojë të vërtetën brenda tij, apo rreth tij, dhe kështu humbet çdo respekt për veten dhe për të tjerët. Dhe duke mos pasur respekt, ai pushon së dashuruari.” (Fjodor Dostojevski, Vëllezërit Karamazov) 

Procesi i tranzicionit të imazhit që njeriu ka për veten dhe për atë që e rrethon, ndonjëherë është po aq i çuditshëm sa edhe i babëzitur. Ndonëse, cytur që në fillesë nga kryeneqësia dhe lakmia, që mëtoj zjarrin përmbi baltën, egoja nuk resht kurrë së projektuari madhështinë e vetvetes. Finoke deri në pambarim, idhëcake në çdo mbirje, ajo lufton me hakërrim për ta kapërcyer kufirin; sidomos atë kufi që përcakton qartësisht moralisht të Huajin, Tjetrin.

Shkurt, Tokën që nuk na përket.

E me gjithë rëndesën etike që mbart e huaja, kufiri për egon mbetet veçse një përfytyrim i përkohshëm, një pengesë për grykësinë e saj. Një ndërkallje epshnore që e shtyn drejt tejkalimit, drejt shuarjes së Tjetrit. Sepse kur je i fortë, kufiri nuk ka portë. “Cowboy-i” i përjetshëm, i etur për të gllabëruar çdo grimcë Frymë ndryshe prej vetes, shndërrohet pa hezitim në marinarin e fundit që lundron për pushtimin barbar të Tokës, Ujit dhe Ajrit.

Në këtë logjikë ‘pushtimi nuk është më akt dhune. Zaptimi kthehet në virtyt’ ndërsa  ‘shfarosja nuk klasifikohet më si krim, por nevojë/ mbrojtje historike.’ Domosdo, ka diçka më shumë sesa cinizëm në këtë obsesion tragjik për ta koduar një ego a qenie të vetme si aktor dhe faktor të gjithçkaje! Zaptimi i rrënjëve të Historisë, në realitet është një akt i vetë-shenjtërimit që e zhvesh botën nga pluraliteti, nga bojnat e ojnat, nga normaliteti, nga ujnat dhe mrekullitë. Vetë-shenjtërimi e redukton ekzistencën në një bunar të vetëm: në faraonizimin e mretnisë që ka forcën, fuqinë dhe dhelpninë. Ai që shkretnon, zvetënon dhe ngushton, bërthamën e Tokës – shpesh është mu ai që krekoset se po vendos rregull e rend të ri; duke shkrumbuar e kthyer çdo gjë në hi, thjesht, një botë pa Dashni.

Borde të Perënduara në Paqe Melankolike 

 

Në vendin tonë

kudo valojnë

flamujt e një melankolie

të trishtueshme…

…dhe askush s’mund te thotë

se këtu rron

një popull që ndërton

diçka të re.

Aty-këtu në hijet

e flamujve

mund të shifet

një mund, një përpjekje

e madhe përmbi vdekje

për të pjellë diçka të madhe,

për të qitë në dritë një xhind!

Por, (o ironi)

nga ajo përpjekje lind

vetëm një mi.

Dhe kështu kjo komedi

na plas diellin e gazit,

na prej marazit

pëlcasim. (Migjeni) 

Timothy Snyder thotë se njeriu, në çastin kur braktis faktet, braktis edhe lirinë. Sepse, nëse asgjë nuk është e vërtetë, atëherë askush nuk mund ta kritikojë pushtetin. Pra, kritika mbetet pa bazë. Dhe, kur e vërteta humbet, gjithçka shndërrohet në spektakël. Pikërisht për këtë arsye pushtetet i urrejnë qoftë dhe të vërtetat e vogla, faktet imcake; ngaqë ato janë mjaftueshmërisht të forta sa për të çmontuar makineritë e gënjeshtrës së madhe.

Thënë kështu, s’ka dyshim se Bordi (Trump-ian) i Paqes nuk është aspak shpresdhënës, brenda një kornize kohore kur historia po vjell vnerin e përsëritjes së vetvetes. Qytetari digjital i perëndimeve dhe lindjeve ultra-globaliste dëshmon, sy më sy, ditnat, një holokaust të paprecedent që vazhdon t’i shfaros së gjalli, pamëshirë, palestinezët. Në anën tjetër, akujt artificialë që nuk shkrijnë kurrë në Dubai, pa piskamë po shpalosin makabritetin mbi sudanezët. Ndërsa, ukrainasit nuk duken se gëzojnë më shumë fat se të tjerët. Lumenj dhimbjesh e konfliktesh që gjasmë janë “paqtuar” prej një burri të vetëshpallur shenjtor, ndjellin më shumë zi sesa qetësi. Boritë për resurse që pakësohen; zhurma e sëmundjeve që shtohen; frika nga Tjetri dhe mjaftueshmëria me vetën; janë vetëm ca nga hallkat e një zinxhiri të ndryshkun që kahera vihet rreth krahnorit të Qenies që përpiqet të lundrojë mbi varkën e Noas.

Në këtë kohë, indiferenca e qeverive globale është po aq pjesë e tragjedisë. Shmangia e përgjegjësisë, heshtja dhe refuzimi për të vepruar e kanë fuqizuar terrorin e qeverive gjenocidiale, duke e normalizuar vrasjen e njerëzimit por edhe shkretnimin moral.

Vendet e vogla, si Kosova, s’do mend se do dhe mbase edhe duhet të kacavjerrën dikur, në direkun e “anijeve shpëtimtare”. Qëndrimi përkrah të fortit ose edhe tiranit nuk kërkon shpjegime ideologjike të sofistikuara. Të tilla akte politike konsistojnë, mbi të gjitha, në menaxhimin e frikës së jashtme dhe të brendshme. Vendet e vogla, në rastet e kërcënimeve potenciale, janë potencialisht mundësi ideale për politikanët, që veç mbrojtjes së qytetarit, nxiten për ta konsoliduar pushtetin dhe pozitën e tyre; duke e zhbërë ose kufizuar mundësinë për t’u kritikuar nga të tjerët; madje duke e penalizuar edhe lirinë e shprehjes së qytetarëve. Gjykimi i ndershëm penalizohet duke e normalizuar përjashtimin, refuzimin ose linçimin.

Justifikimi i përfaqësueseve të institucioneve shtetërore se pjesëmarrja nëpër borde të alla-sojshme është provë për besnikrinë e Kosovës tek partnerët strategjikë ndërkombëtar përballë heshtjes institucionale në rastet kur të drejtat e njeriut shkelën mizorisht, matanë të gjithave dëfton varshmëri absolute, pavarësi të zbehtë, mungesë vizioni intelektual dhe korrupsion të pafre moral.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button