Furra e bukës në Gaza, burim shprese dhe punësimi për gratë palestineze nën bllokadën izraelite

Palestinezët që përpiqen të mbijetojnë në Rripin e Gazës, nën bllokadën izraelite, po ballafaqohen me sulmet dhe po bëjnë përpjekje të mëdha për të përmbushur nevojat e tyre themelore, raporton Anadolu.
Një furrë buke e hapur në kampin e refugjatëve Bureij në Gazën qendrore është bërë njëkohësisht burim shprese dhe punësimi, veçanërisht për gratë që kanë humbur burrat e tyre.
Ebu Ahmed, nga Fondacioni “Ajir Gate” tha: “Si pjesë e përgjegjësisë sociale të fondacionit tonë, ne e themeluam këtë furrë buke për të mbështetur vëllezërit dhe motrat tona që jetojnë në Gaza. Këtu, ne kemi punësuar posaçërisht motrat tona të respektuara që kanë humbur burrat e tyre dhe mbajnë përgjegjësinë e mbështetjes së fëmijëve të tyre. Ne duam që ato të jenë në gjendje të mbështesin familjet e tyre dhe të jetojnë një jetë dinjitoze pa pasur nevojë të lypin nga askush”.
“Lutemi që kjo punë, e realizuar me mbështetjen bujare të popullit turk, të regjistrohet si një vepër e mirë në bilancin tuaj në ditën kur as pasuria dhe as fëmijët nuk do të jenë të dobishme, por vetëm ata që i vijnë Allahut me zemër të pastër do të shpëtohen”, tha Ebu Ahmed
Tagrid Bereke, një grua palestineze që punon në furrën e bukës të themeluar në Gaza, tha: “Nëpërmjet kësaj shoqate, u janë ofruar mundësi pune grave që janë gra të dëshmorëve ose veteranëve dhe që mbështesin familjet e tyre”.
“Si grua e një dëshmori, si shumë gra palestineze burrat e të cilave ranë dëshmorë dhe që mbështesin familjet e tyre, unë punoj në këtë furrë buke për të siguruar jetesën për familjen time”, tha Bereke.



