Fundi i një kapitulli, Rüdiger dhe Alaba drejt largimit nga Real Madridi

Antonio Rüdiger (32 vjeç) dhe David Alaba (33) janë drejt largimit nga Real Madridi.
Dy mbrojtësit, të cilët mbërritën në kryeqytetin spanjoll me parametra zero si pjesë e një strategjie të viteve të fundit për të ulur kostot e merkatos, tashmë konsiderohen si “të amortizuar”.
Klubi nuk ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratave të tyre dhe, edhe në rast se do të rinovonin, marrëveshja do të ishte vetëm për një vit, siç ndodh zakonisht me lojtarët mbi 30 vjeç në Madrid.
Rasti më delikat ai i David Alaba-s
Situata më e komplikuar i përket Alaba-s. Austriaku ka një nga pagat më të larta në skuadër, plot 10.5 milionë euro në sezon, një shumë e konfirmuar edhe nga dokumentet e Football Leaks.
Sipas “Der Spiegel”, Alaba përfitoi gjithashtu 17.7 milionë euro si bonus nënshkrimi, ndërsa agjenti i tij, Pini Zahavi, mori 5.2 milionë dhe babai i lojtarit 6.3 milionë.
Reali kishte dëshirë ta largonte Alaba-n që këtë verë, por mungesa e ofertave për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme në gju kanë penguar çdo mundësi transferimi.
Sidoqoftë, rrethi i lojtarit është i vendosur: Alaba nuk do të largohet pa mbaruar kontratën. “Do të qëndrojë”, është fjalia që vjen nga kampi i tij.
Ndryshe është situata e Rüdiger-it. Gjermani fitoi shumë pikë gjatë sezonit të kaluar, kur luajti me dhimbje të mëdha në fazën vendimtare për të ndihmuar skuadrën, duke marrë çdo ditë anti-inflamatorë për të qenë në stërvitje.
Megjithatë, rinovimi i tij mbetet pak i mundshëm. Reali ka nisur tashmë planin e “rinovimit të prapavijës”: ka afruar Dean Huijsen (20 vjeç), ka firmosur kontratë profesioniste me Asencio-n (22), dhe pret të rikuperojë plotësisht Militaon (27).
Për më tepër, madrilenët shpresojnë që Ibrahima Konaté të mos rinovojë me Liverpool-in dhe të afrohet si lojtar i lirë verën e ardhshme. Në horizont mbetet edhe William Saliba i Arsenalit, i cili gjithashtu nuk ka rinovuar dhe ka kontratë deri në qershor 2027.
Përfundimi? Real Madridi po përgatit një ndryshim brezash në mbrojtje. Rüdiger dhe Alaba pritet të jenë ‘viktimat’ e para të këtij “plani rinovimi”.