Franca njofton të përshpejtojë zgjerimin e energjisë bërthamore, parashikohet ndërtimi i 6 centraleve të reja

Franca planifikon të rrisë prodhimin e energjisë bërthamore, e cila tashmë siguron rreth dy të tretat e furnizimit me energji elektrike të vendit, deri në vitin 2030, deklaroi sot kryeministri Sébastien Lecornu.
Strategjia e re për furnizimin me energji parashikon ndërtimin e gjashtë centraleve të reja bërthamore nga viti 2038 dhe mundësinë për të ndërtuar edhe tetë të tjera.
Për të mbajtur të gjitha 57 centralet ekzistuese bërthamore në rrjet, plani parashikon zgjatjen e jetës së tyre të shërbimit deri në 50 ose 60 vjet. Kjo do të thotë se planet për mbylljen e centralëve më të vjetër, të parashikuara në planin e mëparshëm shumëvjeçar, nuk do të zbatohen.
Franca është prodhuesi i dytë më i madh bërthamor në botë pas SHBA-së dhe eksporton energji elektrike të prodhuar nga centralet bërthamore në disa vende fqinje.
Sipas strategjisë së re, zgjerimi i energjive të rinovueshme do të mbetet shtylla e dytë e furnizimit me energji, por në disa raste me një ritëm më të ngadaltë se sa ishte parashikuar më parë.
Kjo vlen për fermat e erës në det, për shkak të mungesës së ofertuesve për disa projekte të planifikuara, si dhe për fermat e erës në tokë, ku shpesh haset rezistencë në Francë, të cilat tani kanë targete të ulura.
Versioni i ri i strategjisë energjetike franceze ishte vonuar për vite të tëra për shkak të një mosmarrëveshjeje politike mbi drejtimin e saj. Konservatorët dhe e djathta synojnë të përqendrohen te energjia bërthamore, ndërsa e majta dhe ekologjistët kërkojnë investime më të mëdha në energji të rinovueshme.



