Franca do të ndihmojë RMV-në në procesin e reformave në drejtësi
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov ka zhvilluar takim me ambasadorin e Francës Christof Le Rigoller, ku është biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e drejtësisë, projektet dhe agjendën e reformave.
Nga atje thonë se ambasadori Rigoller përshëndeti planet e ministrit për reforma dhe shprehu gatishmërinë e Francës për të ndihmuar në të gjitha proceset me asistencë të ndryshme, përfshirë asistencën e ekspertëve, në mënyrë që të përgatitet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, ministri Filkov informoi se nga 16 shtatori ka filluar angazhimi i ekspertes franceze, Cecilia Maronier, e cila ka përvojë të madhe në fushën e drejtësisë.
“Nga ana jonë janë siguruar të gjitha parakushtet për të mundësuar funksionimin normal të saj”, tha Filkov.
Si veçanërisht i rëndësishëm u theksua bashkëpunimi me gjyqtarin ndërlidhës në Beograd dhe atasheun e sigurisë së brendshme në Shkup, të cilët me aktivitetet e tyre ndihmojnë në realizimin e reformave.
Në takim u diskutua edhe për agjendën legjislative të Ministrisë së Drejtësisë, njoftimet për fillimin e seancave publike për Propozim-Ndryshimet në Ligjet për Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorinë Publike, si dhe për Strategjinë Zhvillimore Sektoriale për Gjyqësor ( 2024-2028).