Forcat amerikane në Lindjen e Mesme “operojnë nga hotelet” pasi Irani godet bazat

Forcat amerikane në Lindjen e Mesme po kryejnë operacione nga hotele dhe vende të përkohshme, pasi sulmet hakmarrëse të Iranit kanë dëmtuar disa baza ushtarake amerikane, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti nga “New York Times”, Teherani ka shënjestruar baza amerikane, ambasada dhe infrastrukturë rajonale në kuadër të ofensivës së vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke detyruar Pentagonin të shpërndajë mijëra trupa në lokacione të përkohshme.
Javën e kaluar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth tha se “deri më tani kemi goditur mbi 7 mijë objektiva në të gjithë Iranin dhe infrastrukturën e tij ushtarake”. Disa baza amerikane, veçanërisht në Kuvajt, janë bërë pothuajse të pabanueshme. Sulmet në Port Shuaiba vranë gjashtë pjesëtarë të ushtrisë amerikane dhe shkatërruan një qendër operative taktike.
Baza të tjera, përfshirë Ali Al Salem, Camp Buehring, Al Udeid dhe Prince Sultan, pësuan dëme të mëdha në avionë, karburant dhe objekte komunikimi.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), sipas agjencisë Tasnim, u bëri thirrje civilëve të raportojnë vendndodhjet e trupave amerikane, duke theksuar: “Është detyra juaj islame të raportoni me saktësi vendet ku fshihen terroristët amerikanë dhe të na dërgoni informacionin përmes Telegramit”.
Derisa Pentagoni po forcon mbrojtjen dhe vazhdon operacionet, ish-nënoficeri i Forcave Ajrore të SHBA-së, Wes J. Bryant, paralajmëroi: “Nuk mund t’i vendosësh të gjitha ato pajisje mbi një hotel. Sërish humbni diçka”.
Gjenerali Dan Caine, kreu i shefave të Shtabit të Përbashkët, pranoi se pavarësisht fushatës ajrore, Irani ende ruan disa kapacitete për të goditur në rajon.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar sulmet ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri më tani mbi 1.340 persona, përfshirë edhe ish-liderin suprem Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe në aviacion.



