Flotilja e Lirisë “Handala” gati të niset drejt Gazës së rrethuar nga jugu i Italisë

Aktivistë nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë janë mbledhur në Portin e Gallipolit në rajonin Puglia në Itali, derisa po përgatiteshin të nisen drejt Gazës për të dërguar ndihma humanitare me anijen e re “Handala”, raporton Anadolu.

Aktivistët u takuan me mbështetës vendas dhe grupe të shoqërisë civile në një shfaqje solidariteti përpara nisjes së planifikuar. Flotilja synon të tërheq vëmendjen ndërkombëtare ndaj krizës humanitare që vazhdon në enklavën palestineze të rrethuar.

Grupi theksoi se misioni i tyre është paqësor dhe i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, duke synuar të sjellë furnizime të domosdoshme ndihmash, ndërkohë që kërkon qasje të pakufizuar për ndihmën humanitare në Gaza.

Koalicioni i Flotiljes së Lirisë u nis të dielën, drejt Gazës me anijen e re “Handala” nga Sirakuza e Italisë.

“Vetëm disa javë pasi forcat izraelite e sekuestruan në mënyrë të paligjshme anijen tonë ‘Madleen’ dhe rrëmbyen 12 civilë të paarmatosur në ujëra ndërkombëtare, ne vazhdojmë, me solidaritet global, të sfidojmë rrethimin e paligjshëm dhe vdekjeprurës të Izraelit”, njoftoi koalicioni në platformën X.

Koalicioni theksoi se qëllimi i tyre është të thyejnë bllokadën “për fëmijët e Gazës”, duke mbartur ndihma humanitare dhe një mesazh “solidariteti”.

Edhe pse numri i saktë i aktivistëve ende nuk dihet, me disa vlerësime deri në 18, pritet që në bord të jenë edhe dy anëtarë të partisë franceze të majtë ekstreme ‘La France Insoumise’ (LFI).

Anija me flamur britanik “Madleen” ishte nisur nga Sicilia e Italisë më 6 qershor, me destinacion Gazën, duke u përpjekur të thyejë bllokadën detare izraelite të enklavës.

Forcat izraelite e sekuestruan anijen “Madleen” më 9 qershor dhe ndaluan ekuipazhin e saj prej 12 personash.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button