Flet me përçmim, JD Vance tha se Amerika merr hua para nga “fshatarët kinezë”, reagon Pekini: Vance është injorant

Kina e ka quajtur nënpresidentin e SHBA-së, JD Vance “injorant dhe të pasjellshëm”, pasi tha se Amerika kishte marrë hua nga “fshatarët kinezë”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian u tha gazetarëve të martën se komentet e Vance – të cilat tashmë kishin shkaktuar bujë në mediat sociale kineze – ishin “të habitshme dhe të trishtueshme”, transmeton Telegrafi.
Vance i bëri komentet të enjten, gjatë një interviste në Fox News, ku ai mbrojti tarifat e presidentit amerikan Donald Trump, të cilat aktualisht po nxisin tensionet midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
“Ne huazojmë para nga fshatarët kinezë për të blerë gjërat që prodhojnë fshatarët kinezë”, tha zëvendpresidenti amerikan.
Të hënën, Trump i dha Kinës – një prej mbajtësve më të mëdhenj në botë të bonove të thesarit të SHBA-së – deri të martën që të heqë tarifën e saj kundër tarifës prej 34% ose të përballet me një taksë shtesë prej 50% për mallrat e importuara në SHBA.
Nëse Trump vepron ndaj kërcënimit të tij, kompanitë amerikane mund të përballen me një normë totale prej 104% për importet kineze – pasi ajo vjen në krye të tarifave prej 20% të vendosura tashmë në mars dhe 34% të shpallur javën e kaluar.
Kina ka thënë se do të “luftojë deri në fund”, pasi i quajti lëvizjet e Trump “ngacmuese”.
“Pozicioni i Kinës për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA është bërë shumë i qartë”, tha Lin të martën.
Trump dhe aleatët e tij kanë argumentuar prej kohësh, se politika e tij tarifore do të nxisë ekonominë amerikane dhe do të mbrojë vendet e punës.
Por ekonomistët kanë paralajmëruar se kjo do të shkaktonte ndërprerje të mëdha në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar, do të rriste çmimet për konsumatorët dhe do të sillte katastrofë për të gjithë tregtinë.
Në vazhdën e shpalljes së tarifave, institucionet financiare kanë paralajmëruar për rreziqet e rritura të një recesioni, si në SHBA ashtu edhe në nivel global.