Finlanda miraton një ligj për kufizimin e përdorimit të telefonave në shkolla

Parlamenti finlandez ka miratuar një ligj të ri që ndalon përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera mobile nga nxënësit gjatë orarit të shkollës, në përpjekje për të përmirësuar mirëqenien dhe përqendrimin e tyre në mësim.

Sipas legjislacionit të ri, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht 2025, përdorimi i pajisjeve mobile do të lejohet vetëm me lejen e mësuesit dhe vetëm për arsye shëndetësore ose qëllime mësimore. Mësuesit dhe drejtuesit e shkollës do të kenë të drejtën të konfiskojnë pajisjen nëse ajo përdoret për të ndërprerë procesin mësimor.

Shkollat finlandeze do të detyrohen gjithashtu të vendosin rregulla të qarta për përdorimin dhe ruajtjen e celularëve gjatë mësimit, vakteve dhe pushimeve.

Kjo lëvizje vjen pas shqetësimeve të shtuara rreth ndikimit të telefonave tek fëmijët, përfshirë uljen e vëmendjes, dëmtimin e vetëvlerësimit dhe rritjen e varësisë nga platformat dixhitale. Finlanda i bashkohet një numri gjithnjë në rritje vendesh evropiane që po ndërmarrin masa të ngjashme. Më herët këtë vit, Danimarka njoftoi një ndalim të plotë të telefonave në shkolla, duke i quajtur ata “pushtues dixhitalë” të hapësirës arsimore.

Autoritetet finlandeze shpresojnë që ky ligj do të rikthejë vëmendjen e nxënësve në mësim dhe do të përmirësojë ambientin psikologjik në shkolla.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button