Fillon shpërbërja e ASH-së së Selës, Krenar Lloga tërhiqet nga politika!

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Krenar Lloga, ka bërë publike dorëheqjen nga funksionet partiake dhe nga jeta aktive politike brenda ASH-së. Në deklaratën e tij, Lloga thotë se vendimi vjen pas “një periudhe të gjatë analize dhe reflektimi”.
Ai e quan tërheqjen një hap të vështirë, duke theksuar:
“Gjatë gjithë kësaj rruge kam dhënë zemrën, mundin dhe shpirtin tim.”
Lloga shton se në dekadën e angazhimit të tij ka njohur “bashkëpunëtorë besnikë e të palodhur”, por edhe të tjerë “që nuk e përballuan rrugëtimin e gjatë e plot sfida”.
Duke kërkuar ndjesë për çdo keqkuptim të mundshëm gjatë veprimtarisë politike, ai shprehet:
“Nëse dikush është ndier i prekur apo i lënduar nga fjala apo veprimi im, ky është momenti që t’i kërkoj ndjesë.”
Ai thekson se gjithmonë ka folur hapur:
“Gjithmonë kam thënë bindjet dhe të vërtetat e mia pa llogaritur koston.”
Lloga falënderon aktivistët e Aleancës për Shqiptarët për mbështetjen, duke kujtuar edhe rrënjët e tij familjare:
“Jam rritur me frymën e rilindjes kombëtare dhe të atdhedashurisë, frymë që do të më mbajë gjithmonë.”
Për Maqedoninë e Veriut, ai thotë se vendi meriton të ngrihet “si një shtet i lirë dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e saj”, ndërsa bën thirrje për bashkëjetesë mes të gjitha komuniteteve.
Në përmbyllje të njoftimit të tij emocional, Lloga paralajmëron një rol më të pavarur në të ardhmen:
“Do të vazhdoj të jem mes jush, por tashmë në një vallëzim më të lirë e pa koreografi – një solist që do ta bëjë me shpirt të lirë dhe me dashuri për njerëzit.”
Dorëheqja e tij pritet të reflektojë edhe në zhvillimet e brendshme të ASH-së në periudhën në vijim.



