Filipine, vazhdon të rritet numri i viktimave teksa vendi përgatitet për një stuhi të re

Numri i viktimave nga stuhia tropikale “Trami” në Filipine u rrit në 125, duke regjistruar 25 viktima të reja, teksa vendi po përgatitet për një tajfun të ri, transmeton Anadolu.
Akoma ka 28 persona që llogariten të zhdukur në zonat e goditura nga përmbytjet, njoftoi Agjencia shtetërore e Lajmeve e Filipineve, duke cituar Këshillin Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut të Fatkeqësive (NDRRMC).
Vendi po përgatitet për reshje të mëdha shiu nga stuhia e re “Kong-rey”, e cila sot rriti intensitetin dhe u shndërrua në një tajfun, teksa ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkonin njerëzit e zhdukur dhe të riparonin rrugët, urat dhe shtëpitë e dëmtuara të shkatërruara nga “Trami”.
Autoritetet e parashikimit të motit paralajmëruan për reshje të dendura shiu që do të vijnë me tajfunin “Kong-rey”, duke paralajmëruar se janë të mundshme përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, veçanërisht në veri të Filipineve.
Tajfuni “Kong-rey” është afruar sot deri në 565 kilometra në verilindje të provincës Catanduanes në rajonin Bicol, në juglindje të Manilës. Tajfuni kishte erëra me shpejtësi prej 130 kilometrash në orë.
Rajoni më i goditur Bicol, tashmë po përpiqet të rikuperohet nga shkatërrimi i shkaktuar nga tajfuni “Trami” i javës së kaluar, pasi zona të mëdha janë ende të ndikuara nga përmbytjet dhe balta.
“Kong-rey” është tajfuni i 12-të që godet Filipinet këtë vit dhe mund të zgjasë deri të enjten mbrëma ose të premten në mëngjes.
Byroja kombëtare e motit ka drojë se stuhia e re mund të arrijë kategorinë e “super tajfunit”.