Fidan në takimin në Jordani: Turqia do të vazhdojë të jetë “krah për krah” me popullin sirian

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, në fjalimin e tij në takimin për Sirinë të mbajtur në Jordani, tha se edhe pse ditët në vijim mund të mos jenë të lehta, Turqi do të vazhdojë të jetë “krah për krah” me popullin sirian, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij në takimin e mbajtur në qytetin Akaba, Fidan falënderoi Jordaninë për pritjen dhe tha se rajoni po kalon edhe një herë ditë historike.

Kryediplomati turk theksoi se populli sirian meriton të jetojë në siguri, liri dhe prosperitet, duke shtuar se stabiliteti i Sirisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm si për rajonin, ashtu edhe për gjithë botën.

“Ne të gjithë kemi nevojë për një proces tranzicioni të rregullt, gjithëpërfshirës dhe të udhëhequr nga Siria”, tha ai.

Duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së institucioneve shtetërore në këtë periudhë, ministri Fidan tha se reforma duhet bërë atëherë kur është e nevojshme.

– “Duhet respektuar pakicat”

Duke theksuar se integriteti i Sirisë duhet të ruhet, Fidan tha: “Struktura e pasur shoqërore e Sirisë duhet të mbrohet dhe të respektohen të gjitha pakicat. Me këtë rast, dua t’u përcjell një mesazh vëllezërve dhe motrave tona siriane. Uniteti, pajtimi reciprok, vëmendja dhe kujdesi janë vlerat që duhen treguar gjatë kësaj periudhe”.

Ai vuri në dukje rëndësinë që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë të mbështesë Sirinë me mbështetjen e nevojshme politike dhe ndihmën humanitare, duke shtuar se nuk duhet lejuar “në asnjë mënyrë” që terrorizmi të përfitojë nga kjo periudhë tranzicioni.

Fidan tha se përpjekjet duhet të koordinohen dhe duhet të nxirren mësime nga gabimet e së kaluarës, duke theksuar se çdo hap i gabuar mund të çojë në migrim të parregullt.

Ai po ashtu deklaroi se sulmet e Izraelit ndaj Sirisë duhet të ndalen menjëherë.

“Ditët e ardhshme mund të mos jenë të lehta, por si Turqi, ne do të vazhdojmë të ecim krah për krah me popullin sirian”, tha kryediplomati turk.

– “Turqi është vend që respekton të drejtat e kurdëve sirianë”

Pas fjalës së tij, Fidan iu përgjigj një pyetjeje të një gazetari.

Duke thënë se Turqia po përballet me kërcënime terroriste përtej kufirit, Fidan deklaroi: “Ne jemi nën kërcënim nga territori i Irakut dhe dhe ai i Sirisë. Për dhjetë vitet e fundit, PKK-ja është përpjekur të përfitojë nga mjedisi kaotik në Siri. Ata po përpiqen të ristrukturohen brenda organizatës SDF”.

Ai tha se Turqia do të vazhdojë të luftojë me terrorizmin e PKK-së, “kudoqofshin ata”.

Fidan njoftoi se në takim u diskutuan këto çështje me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë.

“Turqia është vend që respekton të drejtat e kurdëve sirianë”, u shpreh ai.

Ministri Fidan theksoi se duan të ndajnë kurdët në Siri nga organizata terroriste PKK, ndërsa shtoi se mbështesin përfaqësuesit legjitimë të kurdëve sirianë për të mbrojtur të drejtat e kurdëve sirianë në Damask.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button