Fidan: Lindja e Mesme ka nevojë për një pakt të vetin gjithëpërfshirës të sigurisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se Lindja e Mesme ka nevojë për mekanizmat e saj të sigurisë, të ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë dhe jo mbi frikësimin, duke theksuar se stabiliteti afatgjatë mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit rajonal gjithëpërfshirës, pa dominimin e asnjë fuqie të vetme.
Në një intervistë për Al Jazeera, të transmetuar të enjten, Fidan tha se problemi kryesor i bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes vendeve të Gjirit është “mungesa e besimit mes shteteve” në rajon.
Duke bërë një paralelizëm me Bashkimin Evropian, Fidan tha se edhe vendet e rajonit mund të bashkohen në mënyrë të përgjegjshme.
“Shikoni se si Bashkimi Evropian ka arritur të ndërtohet nga e para deri më sot.
Pse të mos e bëjmë edhe ne?”
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për një pakt mbrojtës mes Arabisë Saudite dhe Pakistanit, si dhe për pjesëmarrjen e mundshme të Turqisë, Fidan tha: “Çdo pakt në rajon duhet të jetë më gjithëpërfshirës”, duke shtuar se bashkëpunimi më i gjerë rajonal mund të pasojë nëse ndërtohet mbi këto parime.
“Asnjë dominim, as dominim turk, as dominim arab, as dominim pers, as ndonjë dominim tjetër,” tha Fidan.
Armëpushimi në Siri
Sa i përket Sirisë, ai tha se Turqia po bën çmos për të lehtësuar procesin e armëpushimit në vend.
“Armëpushimi po respektohet dhe po u mundëson forcave amerikane të transferojnë të burgosurit e DAESH-it nga Siria në Irak. Ky është një zhvillim i rëndësishëm dhe të gjithë duhet të kontribuojnë.”
Ai shtoi se Turqia po bashkëpunon ngushtë me SHBA-të për ta lehtësuar këtë proces, duke theksuar se koordinimi mes palëve përkatëse është thelbësor për të parandaluar dështimin e armëpushimit.
Fidan tha se marrëveshja e arritur mes qeverisë siriane dhe grupit terrorist YPG është e rëndësishme në parim, duke theksuar se Turqia mbështet marrëveshjet që kontribuojnë në stabilitet, për aq kohë sa respektohen shqetësimet e saj për sigurinë kombëtare.
“Çfarëdo marrëveshjeje që palët arrijnë, ne e mbështesim, sepse për sa kohë bien dakord për disa parime, ia vlen të mbështetet,” tha Fidan.
Ai shtoi se, pavarësisht se Ankaraja ka shqetësimet dhe vijat e saj të kuqe lidhur me interesat e sigurisë kombëtare të Turqisë, “kur qeveria e Damaskut angazhohet në një marrëveshje me YPG-në, këto zakonisht merren parasysh”.
Grupi terrorist YPG
Fidan tha se grupi terrorist YPG është në thelb një degë e PKK-së në Siri dhe se kjo organizatë terroriste ka katër degë në katër vende: Siri, Irak, Iran dhe Turqi.
“Në Siri, ajo që ne duam është kjo: ne i vlerësojmë kurdët sirianë dhe ata duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë. Por PKK-ja ka rekrutuar dhe mobilizuar shumë njerëz dhe i ka dislokuar në Siri bashkë me YPG-në. Këta janë jo-sirianë, objektivi i vetëm i të cilëve është të dëmtojnë interesat e sigurisë kombëtare të Turqisë, dhe ne duam që kjo të marrë fund,” theksoi Fidan.
Ai tha se në arenën ndërkombëtare dihet pak fakti se, përveç elementëve kurdë të PKK-së, edhe grupe të majta turke strehohen në zonat e kontrolluara nga YPG-ja në Siri, me rreth 300 anëtarë të armatosur që “kërkojnë mundësi për të sulmuar forcat ushtarake dhe të sigurisë turke”. Ankaraja, shtoi ai, e di se kush janë ata dhe dëshiron që kjo situatë të marrë fund.
Pjesa tjetër duhet të trajtohet sipas parimeve të një shteti sovran dhe unitar, theksoi ministri.
“Në çdo shtet sovran dhe unitar, nuk do të dëshiroje dy ushtri. Duhet të ketë një ushtri të vetme nën një autoritet të vetëm,” tha Fidan, duke shtuar se forcat policore dhe çështje të tjera mund të rregullohen mes Damaskut dhe YPG-së.
“Ne nuk duam të mikromenaxhojmë.”
YPG është dega siriane e organizatës terroriste PKK.



