FH: RMV regres në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit

Maqedonia e Veriut tregon një regres në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Këto janë vëzhgimet kryesore në raportin e fundit “Nations in Transit” nga organizata Freedom House.
Raporti vë në dukje vlerësimet për korrupsion afatgjatë në një nivel të lartë në Maqedoninë e Veriut dhe gjithashtu vë në dukje përplasjen e palëve rreth ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për shkak të vetos së Bullgarisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në seksionin e Maqedonisë së Veriut, shkruhet se shpresat për rezultate në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar u shfaqën pas largimit nga pushteti i ish kryeministrit që e quajnë antidemokratik, Nikolla Gruevski.
“Ndryshe nga Ukraina apo Moldavia, Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të eliminuar rrjetet e korruptuara të veprimit dhe pushteti ka vazhduar të luhatet midis koalicioneve të disa partive”, thuhet në raport.
Freedom House shkruan se partia nacionaliste e Gruevskit pengoi punën e Parlamentit derisa ishte në opozitë dhe se tani është favorit për të fituar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024.
Organizata thekson se as Gruevski dhe as bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk janë nxjerrë para drejtësisë për keqpërdorime të detyrës para vitit 2017.
“Më keq akoma, ndryshimet e diskutueshme në Kodin Penal nga viti 2023 reduktuan dënimet për abuzime të tilla, duke bërë që raste të rëndësishme gjyqësore të ndaleshin, ndërkohë që publiku u alarmua nga skandalet fatale të korrupsionit në shëndetësi”, thuhet në dokument.
Raportohet gjithashtu se viti u shënua nga një debat parlamentar polarizues mbi amendamentet kushtetuese të nevojshme për të hequr veton e Bullgarisë në ofertën e vendit për t’u bashkuar me BE.
Në raport, Maqedonia e Veriut, së bashku me Malin e Zi, është në kategorinë e “hibrideve ciklike” në të cilat ndryshimet e rregullta të elitave në pushtet parandalojnë ndryshime të rëndësishme strukturore.
“Karakteristika përcaktuese e hibrideve ciklike është një kombinim i pluralizmit të mirëfilltë politik dhe ndryshimeve sipërfaqësore institucionale. Ata priren të mbeten prapa reformave që synojnë vendosjen e barrierave të forta ndërmjet shërbimit publik dhe fitimit privat. Prandaj, është thelbësore të promovohen mekanizmat kundër korrupsionit dhe reformat gjyqësore në këto vende dhe procesi i anëtarësimit në BE ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, shpjegon raporti.
Ndryshimet në Kodin Penal mund të shpëtojnë pothuajse 200 të akuzuar për abuzime
Raporti “Shtetet në Tranzicion”, i cili përfshin 29 vende, thekson se rajoni i Ballkanit Perëndimor është përgjegjës për shumë ngjarje shqetësuese dhe se siguria rajonale është një justifikim për shumë liderë politikë që të minojnë institucionet demokratike dhe të shpërfillin normat demokratike.REL



