Fetai: Ligji i ri do të garantojë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve më mirë se “balancuesi”

Zv.kryeministri Arben Fetai përmes një postimi në rrjetet sociale ka sqaruar dilema rreth procedurave të punësimit dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve në sektorin publik, pas vendimi të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me “balancuesin”.

Ai ka siguruar se Qeveria po ndërmerr masa proaktive për të garantuar se përbërja e sektorit publik do të reflektojë edhe më mirë, edhe më drejtë diversitetin e shoqërisë sonë multi-nacionale.

Postimin e tij të plotë mund ta lexoni më poshtë.

Të dashur qytetarë,

E kuptojmë shqetësimin tuaj në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka ngritur dilema rreth procedurave të punësimit dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve në sektorin publik.

Ne ju sigurojmë se Qeveria po ndërmerr masa proaktive për të garantuar se përbërja e sektorit publik do të reflektojë edhe më mirë, edhe më drejtë diversitetin e shoqërisë sonë multi-nacionale.

Deri më tani, Balanceri ka shërbyer si vegël për të definuar përqindjet e komuniteteve gjatë punësimeve në sektorin publik, por nuk ka ofruar mekanizma për të parandaluar deklaratat e rrejshme të përkatësisë e as për të garantuar zhvillimin në karrierë të shërbyesve administrativë. Madje, në shumë raste si për shembull në njësitet elitare të sigurisë, Balanceri nuk është përfillur fare.

Kjo ka çuar në situata absurde dhe të papranueshme, ku shqiptarët janë përjashtuar tërësisht nga institucionet, atyre u janë zënë vendet e punës nga tregtarë të kombësisë, apo edhe pas 15 vjetësh përvojë në administratë, shqiptarët kanë ngelur si bashkëpunëtorë të rinj. Pra, edhe një tjetër zgjidhje gjysmake, një tjetër improvizim i BDI-së.

Me ligjin e ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat që po sjellim, këto abuzime do të jenë pjesë e së kaluarës. Ky ligj do të definojë gjithashtu meritokracinë dhe ngritjen në karrierë për çdo punonjës në administratën publike, në përputhje me performancën dhe aftësitë e tij.

Po punojmë për një ligj të posaçëm që do të rregullojë këto çështje deri në detaje dhe do të sigurojë që të drejtat e çdo populli do të mbrohen, në përputhje me parimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Ndërkohë, të gjitha procedurat janë duke u rishikuar me kujdes për t’u përshtatur me parimet e përfshirjes dhe mosdiskriminimit. Frikat se disa ndonjë popull do të përjashtohet ose ndonjë tjetër do të dominojë, janë të pabaza.

Pra, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pa hyrë në prapavijën politike të këtij vendimi kësaj radhe, nuk do të thotë se ministrat dhe drejtorët shqiptarë do të punësojnë 100% kuadro shqiptare, por as që ministrat dhe drejtorët maqedon do të punësojnë 100% kuadro maqedone.

Të gjithë do të kujdesen për frymën e Kushtetutës dhe të bashkëjetesës, mbi bazën e regjistrimit të fundit të popullsisë, si politikanë dhe zyrtarë të përgjegjshëm, të vetëdijshëm për peshën e vendimeve të tyre.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button