Federata izraelite e Futbollit konfirmon se Reebok ka kërkuar që logoja e saj të hiqet nga uniforma e ekipit kombëtar

Federata Izraelite e Futbollit ka konfirmuar se kompania Reebok ka kërkuar që logoja e saj të hiqet nga uniforma e ekipit kombëtar.

“Na vjen keq që kompania ndërkombëtare Reebok, me sa duket, ka vendosur t’i nënshtrohet kërcënimeve të turpshme dhe krejtësisht të parëndësishme të bojkotit,” tha Federata izraelite të martën.

Reebok nuk ka dhënë ende ndonjë koment zyrtar.

Portali izraelit Ynet raportoi se kompania amerikane, e cila prej vitit të kaluar është sponsore e uniformës së ekipit, ka vepruar pas kërcënimeve të lëvizjes Boycott, Divestment, Sanctions (BDS).

Federata izraelite tha se përkohësisht do të largojë logon, për të mos dëmtuar furnitorët lokalë, por do të vazhdojë të përdorë fanellën aktuale.

Izraeli po përballet gjithnjë e më shumë me izolim ndërkombëtar, përfshirë edhe në fusha si sporti, kultura dhe shkenca, në lidhje me luftën në Gaza.

Kombëtarja izraelite pritet të zhvillojë ndeshjet kualifikuese për Botërorin më 11 tetor në Norvegji dhe tre ditë më vonë në Itali.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button