Fazliu: “Afera Ahmeti–Mijallkov–Vuçiq është tradhti kombëtare, jo biznes!” – VLEN dorëzon iniciativë në Komisionin Antikorrupsion

Në një konferencë urgjente për media, Bekim Fazliu nga VLEN-i, akuzoi drejtpërdrejt liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe familjen e tij për përfshirje në një “aferë të rëndë politiko-financiare” me figura të njohura të regjimit serb dhe ish-shefin e shërbimeve sekrete maqedonase, Sasho Mijalkov.

“Dita e pestë që BDI dhe Ahmeti fshihen në heshtje. Dita e pestë që ikin nga përgjigjet që ua kanë borxh shqiptarëve. Heshtja e tyre është pranimi më i zhurmshëm i fajit”, deklaroi Fazliu.

Ai tha se dokumentet dhe provat e siguruara nga VLEN zbulojnë një zinxhir të dyshimtë transaksionesh financiare, përmes të cilave kompania familjare e Ahmetit, “AS Senjak”, ka shitur aksione në “Alta Bank” të Beogradit, të kontrolluar nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit. Po e njëjta kompani, tha ai, kishte blerë më parë këto aksione nga Mijalkov, duke konfirmuar, sipas Fazliut, “boshtin kriminal Mijallkov–Ahmeti–Vuçiq”.

“AS Senjak nuk është kompani biznesi, por një ‘lavaman parash’ për tenderët e komunave të BDI-së. Me paratë e popullit po tregtojnë me Mijallkovin dhe Vuçiqin. Kjo është tradhti e pastër e interesave kombëtare!”, theksoi Fazliu.

VLEN ka dorëzuar zyrtarisht një iniciativë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), duke kërkuar hetim të plotë institucional ndaj familjes Ahmeti dhe kompanisë “AS Senjak”. Fazliu kërkoi që Komisioni të shqyrtojë të gjitha tenderët e fituar, marrëveshjet e dyshimta financiare dhe ndikimin politik që, sipas tij, është përdorur për të mbuluar këtë “aferë të turpshme”.

“Ky nuk është një transaksion tregu, por një operacion i dakorduar politikisht. Ky është test për institucionet: a do të mbrojnë qytetarët apo qeverinë kriminale.”

Në fund, Fazliu paralajmëroi se VLEN nuk do të ndalet deri në zbardhjen e plotë të rastit:
“Koha e gënjeshtrave ka mbaruar. Ka ardhur koha e përgjegjësisë para popullit. E vërteta do të dalë në shesh, dhe drejtësia do t’i arrijë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë aferë antishqiptare dhe antishtetërore.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button