Farat e sojës: Arma sekrete e Kinës dhe BE-së në luftën kundër tarifave të Trumpit?

Vendet e Bashkimit Evropian miratuan të mërkurën një paketë tarifash hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara si përgjigje ndaj tarifave të gjera të vendosura nga Presidenti Donald Trump ndaj partnerëve tregtarë të Amerikës.
Ky “shkëmbim goditjesh”, që hyn në fuqi më 15 prill, vjen në të njëjtën kohë kur edhe Kina ka ndërmarrë masa hakmarrëse ndaj tarifave të Trumpit këtë javë. Përplasja e tarifave po destabilizon tregjet globale dhe ka shkaktuar rënie të aksioneve në shkallë të gjerë.
Tarifat e fundit të Trump vendosin një taksë prej 20 për qind mbi të gjitha mallrat e BE-së. Ndërsa për mallrat kineze, tarifa arrin në 104 për qind.
Veprimet e BE-së do të synojnë produktet amerikane të aluminit dhe çelikut, si dhe importet bujqësore – më të rëndësishmet mes tyre janë fasulet e sojës – megjithatë, këto tarifa pritet të zbatohen në mënyrë të fazuar.
A mund të rezultojë soja, një nga importet më të mëdha të Amerikës në mbarë botën, si thembra e Akilit për Uashingtonin – një pikë e dobët që BE-ja dhe Kina mund ta shfrytëzojnë për të goditur me efikasitet?
Çfarë duhet të dini mbi një “luftë” tregtare me bazë soje – dhe pse kjo mund të jetë me rëndësi të madhe për SHBA-në, ekonomikisht dhe politikisht:
Pse është soja kaq e rëndësishme për SHBA-në?
Soja, në formën e kokrrave të plota, ushqimit për kafshë apo vajit, është një nga shtyllat e industrisë bujqësore amerikane dhe përbën një nga burimet kryesore të të ardhurave nga bujqësia për SHBA-në.
Ajo kontribuon me rreth 0.6 për qind të PBB-së. Sipas Censusit të Bujqësisë të Departamentit Amerikan të Bujqësisë, SHBA ka mbi 500,000 prodhues soje. Një raport i vitit 2023 për Shoqatën Kombëtare të Përpunuesve të Vajrave dhe Bordin e Sojës së Bashkuar përmend se kjo industri mbështet të paktën 223,000 vende pune me kohë të plotë.
Industria e sojës ka një vlerë prej 124 miliardë dollarësh në SHBA – më shumë se e gjithë ekonomia e Kenias apo Bullgarisë.
Edhe pse kërkesa vendase për sojë në SHBA është në rritje, eksportet janë baza e suksesit të kësaj kulture. SHBA është aktualisht eksportuesi i dytë më i madh i sojës në botë, duke shitur më shumë se gjysmën e prodhimit të saj në rreth 80 vende.
Kujt i eksporton SHBA-ja fasulet e sojës?
Fasulet e sojës përbënin mbi 27 miliardë dollarë nga eksportet vjetore të SHBA-së në vitin 2023, sipas të dhënave nga platforma “Observatory of Economic Complexity” (OEC).
Kjo është më shumë se çdo eksport tjetër bujqësor.
Kina, që importon 15 miliardë dollarë sojë nga SHBA, është tregu më i rëndësishëm, e ndjekur nga BE-ja – veçanërisht Gjermania, Spanja dhe Holanda, të cilat së bashku blejnë rreth 2 miliardë dollarë vlerë të kësaj kulture.
Megjithatë, si Kina ashtu edhe BE-ja tani janë në zemër të një kundërshtimi global ndaj tarifave të Trumpit. Të dyja ishin në listën e vendeve “shkelëse më të mëdha” që u goditën nga një breshëri tarifash të reja të shpallura nga Trump javën e kaluar. Lista përfshinte vende për të cilat Uashingtoni pretendon se po taksojnë padrejtësisht mallrat amerikane në tregjet e tyre.
Trump vendosi një tarifë prej 20 për qind për BE-në, përveç taksave prej 25 për qind për çelikun dhe aluminin, të cilët përbëjnë një pjesë kyçe të eksporteve të bllokut drejt SHBA-së.
Ndërsa Kina, që nga e mërkura, përballet me një tarifë totale prej 104 për qind për të gjitha eksportet e saj drejt SHBA-së.
A do të hakmerren BE-ja dhe Kina me tarifa për sojën amerikane?
Të dyja palët duket se po synojnë sojën amerikane, një pikë e dobët për Uashingtonin, duke marrë parasysh rëndësinë që kanë tregjet e tyre për fermerët amerikanë.
BE-ja kishte premtuar më herët se do të vendoste tarifa hakmarrëse mbi mallra amerikane me vlerë deri në 26 miliardë euro (28 miliardë dollarë). Një draft i listës së plotë u rrjedh më herët, por ende nuk është publikuar zyrtarisht.
Të mërkurën, blloku evropian votoi për një tarifë shtesë deri në 25 për qind mbi mallrat e synuara. Një grup i parë tarifash do të hyjë në fuqi më 15 prill.
Edhe pse këto tarifa pritet të zbatohen në faza, një nga produktet në listën e BE-së është soja.
Ndërkohë, eksportet amerikane të sojës në Kinë – tregu më i madh për SHBA-në – po goditen gjithashtu rëndë. Kina më herët kishte vendosur një tarifë prej 15 për qind për produkte ushqimore amerikane si pula, gruri dhe misri, dhe një taksë prej 10 për qind për sojën, mishin dhe produkte të tjera bujqësore.
Të shtunën, Kina shtoi edhe 34 për qind mbi të gjitha mallrat amerikane, duke e çuar tarifën për sojën në veçanti në 44 për qind. Një tjetër rritje prej 50 për qind për të gjitha mallrat amerikane do të hyjë në fuqi të enjten, njoftoi Pekini.
Kjo do të thotë që fasulet e sojës nga SHBA do të përballen me një tarifë prej 94 për qind në Kinë.
Ekspertët thonë se Kina mund të përballojë një bast të tillë me sojën, pasi që nga viti 2017, kur nisi lufta e parë tregtare gjatë mandatit të parë të Trump-it, ajo ka filluar t’i drejtohet gjithnjë e më shumë Brazilit për importet e saj të sojës.
Eksportet amerikane të sojës drejt Kinës kanë rënë që atëherë, ndërsa Brazili tani zotëron më shumë se gjysmën e tregut. Në vitin 2024, Brazili eksportoi sojë me vlerë 36.6 miliardë dollarë drejt Kinës, ndërsa SHBA eksportoi vetëm 12.1 miliardë dollarë.
Si po reagojnë fermerët amerikanë të sojës?
https://x.com/ASA_soya beans/status/1909613301564112985
Fermerët amerikanë kanë bërë thirrje që Trump të heqë tarifat ndaj Kinës, BE-së dhe tregjeve të tjera kryesore si Meksika. Shumica e tyre kanë theksuar rëndësinë jetike të Kinës për bujqësinë amerikane.
“52 për qind e eksporteve tona të sojës në vitin 2024 u blenë nga Kina”, tha për AFP ekonomisti kryesor i Shoqatës Amerikane të Sojës (ASA), Scott Gerlt. Duke marrë parasysh madhësinë e blerjeve, Kina nuk mund të zëvendësohet lehtë, shtoi ai.
Disa fermerë paralajmërojnë se nuk do të mund të mbijetojnë për shumë gjatë nëse përplasja tregtare vazhdon, pasi produktet e tyre do të bëhen shumë të shtrenjta për të qenë konkurruese në tregun global.
“Nëse kjo luftë tregtare zgjat deri në vjeshtë, do të shihni fermerë që falimentojnë”, tha për kanalin ABC fermeri i sojës David Walton.
Cilat janë pasojat politike?
Lufta tregtare për sojën, dhe në tërësi përplasja me tarifa, mund të ketë pasoja të thella politike.
Deri tani, Trump i ka zbatuar këto politika përmes dekreteve ekzekutive, duke i mohuar Kongresit të drejtën për të ndërhyrë.
Por Kongresmeni republikan Don Bacon, senatori republikan Chuck Grassley dhe senatorja demokrate Maria Cantwell po përgatisin një ligj që do ta detyronte Trump të njoftojë Kongresin për çdo tarifë të re – dhe zbatimi i saj do të varet nga miratimi i Dhomës së Përfaqësuesve. Sidoqoftë, gjasat për ta kaluar këtë ligj janë të pakta, pasi republikanët kontrollojnë si Dhomën ashtu edhe Senatin.
Megjithatë, çfarëdo që të ndodhë në Kongres, pasojat politike mund të ndihen edhe përtej Capitol Hill-it.
Thuajse të gjitha eksportet amerikane të sojës drejt BE-së vijnë nga shteti i Luizianës – vendlindja e kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson. Megjithatë, ai ka mbështetur tarifat e reja.
Në një deklaratë për shtyp javën e kaluar, Johnson tha se amerikanët duhet të “besojnë instinktin e presidentit për ekonominë”.
“Fillimi mund të jetë i vështirë, por në fund, mendoj se do të ketë kuptim për të gjithë amerikanët. Do t’i ndihmojë të gjithë”, tha ai. /Al Jazeera/